Nga Express më 12 qershor 2011 në ora 20:35
Skuadra e Flamurtarit i ka thënë lamtumirë elitës së futbollit kosovar. Ballkani do ta kërkojë mbijetesën në Superligë në ndeshjen e barazhit kundër Lepencit. Vëllaznimi e siguroi mbijetesën, ndërsa Drenica ka befasuar duke e përfunduar kampionatin në vendin e katërt.
Flamurtari Liria4:2
Flamurtari të dielën e ka marrë goditjen më të fortë në 40 vitet e fundit. Kuqezinjve nuk u kreu punë fitorja ndaj Lirisë me rezultat 4:2 për ti shpëtuar më të keqes rënies nga Superliga.
Prishtinasit i thanë lamtumirë elitës së futbollit kosovar, edhe pse fituan ndaj prizrenasve, sepse në xhiron e fundit të këtij kampionati nuk gabuan dy ekipet e tjera të rrezikuara, Ballkani e Vëllaznimi, të cilët shënuan fitore ndaj Trepçës, respektivisht KEK-ut.
Kështu, pas Ferizajt, në xhiron e fundit të këtij kampionati, statusin e anëtarit të Superligës e humbi edhe Flamurtari, skuadra këto të cilat në sezonin e ardhshëm do të garojnë në Ligën e parë.
Fitoren e fundit në Superligë, Flamurtari e shënoi në kryeqytet ndaj Lirisë, me katër golat që i shënuan Përparim Livoreka, Dardan Jashari, Qëndrim Kida e Liridon Latifi. Kurse dy gola për bardhezinjtë e Prizrenit i shënoi Egzon Dobroshi.
Ballkani Trepça6:0
Për Ballkanin, ende nuk ka përfunduar ky sezon. Therandasit ia dolën që ta mposhtin Trepçën me rezultat 6:0 dhe kampionatin ta përmbyllin duke u pozicionuar në vendin e dhjetë të tabelës, pozitë kjo që çon në ndeshje barazhi.
Kështu, portokallinjtë mbetjen në elitë duhet ta kërkojnë në ndeshje barazhi kundër Lepencit, ekip ky që ka përfunduar në vendin e tretë të tabelës së Ligës së parë.
Dy gola për Ballkanin në fitoren e thellë ndaj mitrovicasve i ka shënuar Fillim Guraziu, kurse nga një gol tjetër e realizuan Getoar Jashari, Klodian Sulollari, Afrim Mziu dhe Fitim Krusha. Me këtë fitore të Ballkanit, shpresat e Flamurtarit për të mbijetuar morën fund.
Vëllaznimi KEK-u2:1
Edhe pse deri në javët e fundit të kampionatit konsiderohej ndër ekipet më të rrezikuara për të rënë nga Superliga, Vëllaznimi në xhiron e fundit shpëtoi më së miri.
Gjakovarët me fitore ndaj KEK-ut me rezultat 2:1 ia dolën ta sigurojnë mbetjen në elitën e futbollit kosovar, duke e lënë pas vetes Ballkanin, që do të luajë në ndeshje barazhi, dhe Flamurtarin e Ferizajn që ranë nga Superliga. Golat për gjakovarët ndaj Elektricistëve i shënuan Gjergj Bushaj e Atdhe Gashi. Kurse, golin e vetëm për KEK-un e shënoi Enis Krasniqi.
Drenica Besa3:2
Drenica e ka mposhtur Besën me rezultat 3:2, për ta përfunduar këtë kampionat në pozitën e katërt të tabelës, edhe pse kuqezinjtë deri vonë ishin goxha të rrezikuar.
Dy gola për Drenicën i shënoi Besim Bajraktari në minutën e 10-të e 88-të dhe një gol tjetër e realizoi Taulant Dajaku në minutën e 8-të. Kurse, golat për ekipin pejan i shënuan Benard Berisha në minutën e 41-të dhe Egzon Gashi në minutën e 70-të.
Trepça 89 Ferizaj 2:0
Ferizaj ka pësuar humbje në ndeshjen e fundit si anëtar i Superligës nga Trepça 89, me rezultat 2:0. Golin e parë, mitrovicasit e shënuan në minutën e 5-të nëpërmjet Fatmir Tolajt. Kurse, golin e dytë për Xehetarët e ka realizuar Besart Ala.
Drita e Gjilani në Superligë, Lepenci në barazh
Drita dhe Gjilani janë rikthyer në elitën e futbollit kosovar. Skuadrat gjilanase ishin bindshëm më të mira sesa kundërshtarët në Ligën e Parë dhe me meritë e siguruan rikthimin në Superligë.
Drita, e cila pushoi në xhiron e fundit, e mbylli sezonin në pozitën e parë me 59 pikë të grumbulluara. Kurse Gjilani ishte i dyti me 4 pikë më pak (55).
Ndërkaq, Lepenci përfundoi i treti dhe skuadra kaçanikase e siguroi barazhin, ku do të luajë me Ballkanin, i cili e përfundoi sezonin në pozitën e 10-të të Raiffeisen Superligës. Nga Liga e Parë ka rënë Studençani, derisa Kaolini e Sharri do të luajnë në barazh për të mbetur pjesë e kësaj kategorie.
Tabela
1. Hysi-72
---------------------------------------
2. Prishtina-68
3. Liria-47
4. Drenica-44
5. Besa-43
6. KEK-u-43
7. Trepça 89-43
8. Trepça-42
9. Vëllaznimi-41
---------------------------------------
10. Ballkani-41
---------------------------------------
11. Flamurtari-39
12. Ferizaj-29