Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka shkarkuar ministren e tij të Mjedisit, Delphine Batho, pasi kjo e fundit kritikoi shkurtimet e buxhetit për departamentin e saj. Zyra e presidentit njoftoi se ajo është zëvendësuar nga Philippe Martin.
Batho është e para anëtare e kabinetit të Hollande, e cila shkarkohet për shkeljen e marrëveshjes, se ministrat nuk duhet të kritikojnë politikat e qeverisë.
Më herët, ministri i Financave, Pierre Moscovici, shpalli planet për 14 miliardë euro kursime gjatë vitit të ardhshëm, teksa po përpiqet të zvogëlojë defiçitin buxhetor.
Viti i ardhshëm do të shohë shkurtimet e para të shpenzimeve qeveritare në Francë, që prej 1958-s, raporton agjencia e lajmeve AFP (Agence France Presse).
Franca synon të zbusë defiçitin buxhetor me 3,9% të Produktit të Brendshëm Bruto (GDP) këtë vit, 3,6% në 2014-n dhe 2,8% në 2015-n.
Hollande e ka vënë theksin deri më tani në rritjen e taksave, por ka pranuar se edhe shpenzimet duhen të mbahen nën kontroll.