Spanja e kuqe e grave të bukura e të zjarrta, e burrave xhelozë te "Karmen" i koreografit italian Fredy Franzutti-t.





Sot shfaqja e fundit me solistë nga Balletto del Sud". Franzutti në një intervistë për gjuhën e trupit, interpretimin, dhe për nivelin e balerinëve shqiptarë që i duken më të qetë seç duhet





Për katër net, 11-16 prill, në Teatrin e Operës po shfaqet "Karmen" i Prosper Mérimée-së, me muzikë të katër kompozitorëve: Bizet, Chabrier, Massenet, Albéniz. Koreografi Fredy Franzutti, drejtues i kompanisë së dancit "Balletto del Sud", prezantoi në Shqipëri një krijim tërësisht të tijin, në koreografi, skenografi dhe kostume.





"Kisha një ide shumë të qartë mbi këtë dëshirë për të realizuar "Karmenin", shpjegon Franzutti arsyen se përse nuk u "përzje" me të tjerë për realizimin e baletit.





"Karmeni" i tij, në rol Enada Hoxha dhe Paola Acosta, ishte një vajzë e brishtë por e zjarrtë, joshëse me të gjithë meshkujt që i vinin rrotull, që e jeton me pasion jetën, por fundin e ka tragjik.





Feminitetin e gruas spanjolle, elegancën, bukurinë, joshjen, koreografi e vë në dukje në gjuhën e trupit të balerinave, në kërcimet cigane anës zjarrit që të kujtojnë motive të Lindjes, me fustanet e gjatë me ngjyra flakëruese, me lulet në flokë, me erashkat në duar. Dhe skenografia, në aktin e parë, me disa erashka të mëdha.





Intepretimi i Paola Acosta-s në rolin e Karmenit dukej më i ndjerë dhe spontan, krahasuar me atë të balerinës Enada Hoxha që nuk vuante për realizimin teknik "më shumë për vete", se për publikun.





Është një gjuhë gati e pashpjegueshme ajo e trupit, që spektatori dhe interpretuesi e gjejnë që në kontaktin e parë, ose nuk e gjejnë dot asnjëherë. E njëjta lehtësi në interpretim që u evidentua tek Acosta, karakterizonte edhe interpretimin e Ervis Nallbanit në rolin e José-së, kurse balerini italian Carlos Moltalvan ishte më pak i çliruar në këtë rol.





Puna e koreografit ndihej shumë edhe tek vallëzimet ku trupa dukej kompakte dhe në unitet. Në intervistën e mëposhtme Fredy Franzutti flet për aspektin tjetër të shfaqjes: punën me balerinët dhe çmendon për nivelin e atyre shqiptarë, ku çalojnë dhe ku duhet të përmirësohen. Sonte, ora 19.00. baleti shfaqet për herë të fundit.





Z. Franzutti, jemi në fund të natës së tretë të shfaqjes së "Karmenit". Çfarë është Karmeni për një krijues?





"Karmeni" është një përrallë që ndjell fantazinë e një vendi me shumë ekzotizëm, Spanjën që ne imagjinojmë, jo atë reale. Spanjën turistike, atë që ne duam të shohim: ndeshjet me dema, toreadorët, gratë e zjarrta e të hijshme, burrat xhelozë dhe posedues, trëndafilat, erashkat. Kjo është "Karmen". Ngjyrat e Spanjës frymëzuan një operë, që unë e transformova në një balet.





I keni bërë vetë, koreografinë, kostumet, skenografinë. E bëni shpesh këtë punë?

Kisha një ide shumë të qartë mbi këtë dëshirë për të realizuar "Karmenin". Kështu që, preferova t'i ndiqja vetë të gjitha elementet e realizimit të veprës. E bëj shpesh këtë në veprat që marr përsipër. Kuroj vetë regjinë, koreografinë, skenografinë dhe kostumet. Të gjitha realizohen mbi një ide të vetme.





Është më e thjeshtë, apo jo?





Varet nga lloji i projektit që kam në dorë. Ka raste kur projekti është i "kamur", e të tjera kur është i limituar.







Me këtë vepër u krijua mundësia të shihnit edhe nivelin e balerinëve shqiptarë. Ç'mendoni tani që puna juaj ka mbaruar?





Mirë. Është një shkollë e shkëlqyer, por sigurisht që ka mundësi për t'u përmirësuar, për të ecur përpara. Nuk duhet menduar që "e arritëm". Teatri i Operës është një nga teatrot e Evropës dhe duhet të mbrojë titullin e tij. Kështu që çdo ditë duhet të mbrohet nga konkurrenca me Teatrot e tjerë evropianë. Gjeografikisht Shqipëria është në Evropë, por kur të futet edhe në tregun evropian, duhet menjëherë të krijojë një marrëdhënie me Teatrot e Parisit, Londrës, Romë, Milanos.





Ku çalojmë?





Ka të bëjë me ndërgjegjen e një profesioni. Ndoshta duhet më tepër disiplinë. Të krijohet ideja e konkurrencës së tregut. Pa konkurrencë, krijohet një lloj vetëkënaqësie. Në Shqipëri nuk ka kompani të tjera private, nuk ka teatro të tjerë dhe ideja e të qenit unik, i llaston artistët. Kjo është e natyrshme. Nuk është një rast tipik shqiptar, ka të bëjë me natyrën njerëzore.





Cila nga dy balerinat e kuptoi më mirë Karmenin?





Kjo shfaqje ishte krijuar për Enadën. Dy vjet më parë e kam ftuar në Itali për këtë rol. E gjithë kjo shfaqje është ndërtuar për të. Është e qartë që është ajo protagonistja e këtij projekti sepse gjithçka është dizenjuar për të. Vajza tjetër Paola, që është shumë e zonja, ka mësuar nga Enada, nga videot dhe regjistrimet. Paola është më e vogël, kurse Enada ka pikërisht moshën e Karmenit. Enada ishte e duhura për këtë personazh, për hiret e saj, për mënyrën sesi lëviz, pjekurinë artistike.





Paola, dy net më parë ka interpretuar shumë bukur. Me të kam bërë disa shfaqje nëpër festivalet e Italisë. Balerinat më japin dy ndjesi të ndryshme dhe këtu qëndron bukuria e një shfaqjeje "dal vivo". Çdo herë është ndryshe. Nuk po flasim për një film.





Më konkretisht çfarë ndjesish ju falën?





Që në vështrim të parë, Enada më jep përshtypjen që e di se do të vdesë në fund të shfaqjes. Ka një hije trishtimi, edhe kur përpiqet të tregohet e gëzuar. Duket sikur e jeton të gjithë shfaqjen si një lajtmotiv. Më duket se Karmeni risheh jetën e saj nga momenti i vdekjes. Ndërsa Paola jeton çdo moment. Është gati një Xhuljetë e re me dëshirë për jetën, dhe vdekja i vjen e papritur. Kanë mënyra të ndryshme të të afruarit te personazhi.





Kishte aktrim mjaftueshëm tek "Karmeni". Kështu duhet të jetë baleti?





Mendoj se kërcimi është shprehje e trupit, e fytyrës. Është gjimnastika ajo që merret me ekzekutimin e lëvizjeve pa elementin interpretues, narrativ. Të gjitha baletet kanë nevojë të qenësishme për një interpretim teatral. Unë u kujdesa për këtë pjesë në këtë balet. Kjo është mënyra ime e kompozimit të kërcimin.





E keni veshur me shumë feminitet veprën, erashka, lule...





E keni fjalën për pjesën e hapjes së baletit, që edhe gratë edhe burrat kanë në duar erashka?



Është koncepti i uverturës, është sigla e shfaqjes. Në këtë prezantim bëhet e ditur se shfaqja që do të shohim është imazhi i një Spanje si një kartolinë.

Nuk do të shohim një Karmen post-moderne, por do të shohim "Karmenin" e trëndafilave dhe erashkave.





Vlen të thuhet se është një histori e shkruar nga një francez Prosper Mérimée, krijuesit e muzikës janë të gjithë francezë Bizet, Albéniz, Chabrier, Massenet. Historia nuk ndodh në Sevilje, por në një vend imagjinar midis Seviljes dhe Parisit. Kjo uverturë është franceze, dhe erashkat krijojnë idenë e butësisë, pak kabare.





Çfarë mund t'i thoni nga përvoja juaj një koreografi të ri?





Koreograf të bën nevoja për t'u shprehur. Kërcimi është një art komunikimi, siç është piktura, skulptura. Është e natyrshme që një koreograf të shprehet përmes kërcimit. Më vonë, pastaj nevojitet pak fat, njohje, punë, përkushtim. Është edhe e lodhshme, se nevojitet një kompani kërcimi, teatër, skenë. Një piktori i mjafton kavaleti, ngjyrat dhe arti i tij realizohet.





Është si puna e dirigjentit, që nuk mund të bëj pa orkestrën. Kështu që duhet të presësh një fare moshë për të realizuar projektet e tua. Koreografëve të rinj u them vetëm "paçi fat". Kam qenë i ri edhe vetë dhe e di sa i vështirë është fillimi. Pastaj dalëngadalë, vijnë rezultatet.





Aktiviteti i "Balletto del Sud" është i përqendruar vetëm në Itali?





Në Itali jemi një kompani me zë, ndoshta midis të rëndësishmeve. Japim shumë shfaqje në një vit, në të gjithë Italinë dhe kjo më jep shumë kënaqësi. Kemi marrëdhënie edhe me teatro të tjerë të Evropës. Jemi një kompani kombëtare për momentin, kemi pak aktivitet nëpër Evropë.





Kemi dhënë shfaqje në Spanjë, Portugali. Aktivitetin ndërkombëtar e ushtroj më tepër unë si koreograf. Kam realizuar shfaqje në Bolshoi, Sofje, Majemi, Monte Karlo. "Opera di Roma" ka 6 balete të mitë në repertor. Unë përdor gjuhë të ndryshme baleti, varet nga frymëzimi. Përpiqem të zgjedh një gjuhë bashkëkohore me muzikën.





Nëse muzika është e '800-ës, përdor gjuhën e kësaj kohe, nëse më duhet të bëj koreografinë e një muzike të '900-ës, përdor gjuhën e '900-ës, e nëse kam të bëj me një muzikë post-moderne përdor gjuhën dhe kostumet moderne. Përpiqem të krijoj një koherencë mes këndvështrimit koreografik, kostumeve dhe skenografisë me muzikën.





Tani shfaqja mbaroi, si ndiheni?





Shfaqja sonte ishte shumë e bukur dhe jam i kënaqur. Sot u ndjeva më ngrohtë, më i emocionuar, dhe i vlerësuar. Ndihem i çlodhur.