Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, thotë se ka frikë nga Arsenali para përballjes së tyre në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve. Ai thekson se një Samir Nasri në formë, ardhja e Marouane Chamakh dhe prania kapitenit Cesc Fabregas do të jenë kërcënime për ekipin e tij. Për t’i eliminuar Topxhinjtë, ai kërkon maksimumin nga futbollistët e tij.


Nga Express më 19 dhjetor 2010 në ora 12:35

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka pranuar se është i ‘frikësuar’ nga Arsenali pas shortit që i solli ata përballë njëri-tjetrit në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve. Ekipi i Arsene Wengerit do të ndeshet me gjigantin katalan, ekip kundër së cilit nuk ka pasur rezultate të mira në edicionet e kaluara të garës.



Barcelona e mposhti Arsenalin në finalen e vitit 2006 me rezultat 2-1, ndërsa sezonin e kaluar e eliminoi në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm 6-3. Barcelona është aktualisht kryesues në La Liga, ndërsa mori lëvdata nga mbarë bota pas shkatërrimit të rivalit më të madh Real Madridit me rezultat 5-0 në El Clasicon e muajit të kaluar. Mirëpo, pavarësisht kësaj, Guardiola mbetet i kujdesshëm.



“Arsenali më frikëson, por kjo vlen për të gjitha klubet në short”, tha Guardiola për mediet spanjolle.



“Do të jem pak më i qetë kur filloj t’i përcjell ndeshjet e tyre dhe nëse mund të gjej ndonjë dobësi. Arsenali është klasikë e futbollit anglez. Tashmë disa vite ata luajnë futboll të mirë. Mendoj se do të jenë më të fuqishëm se sezonin e kaluar me rikthimin e Nasrit dhe transferimin e Chamakhut”, shtoi Guardiola i cili përmendi edhe futbollistin të cilin e kërkoi ta ketë në Barcelonë verën e shkuar, kapitenin e Arsenalit, Cesc Fabregas, si kërcënim për skuadrën e tij.



“Kësaj radhe do të jetë më ndryshe. Cesc do të jetë në fushë. Ai mungoi në ndeshjen e kthimit në Nou Camp vitin e kaluar për shkak të lëndimit”, vazhdoi Guardiola. Strategu i gjigantit katalan beson se për ta mposhtur përsëri Arsenalin, Barcelona duhet të jetë në formën e saj më të mirë.



“Nëse nuk jeni në formën e juaj më të mirë, Arsenali ju shkel. Do të jetë një ndeshje e shkëlqyeshme sepse jemi dy ekipe shumë të ngjashme. Ata janë ekip i guximshëm, i kompozuar mirë që ju detyron të mbroheni me kujdes. Ata luajnë dhe mbrohen me top, janë ekip shumë i mirë që luan futboll të bukur”, përfundoi Guardiola. Ndërsa, pavarësisht humbjeve të kaluara nga Barcelona, menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, është optimist para përballjeve më 16 shkurt në Emirates dhe ndeshjes së kthimit më 8 mars në Nou Camp.



“Hakmarrja nuk është në mendjen time. Ne duam të kualifikohemi dhe duhet t’i eliminojmë ata. A është kjo e vështirë ? Po. A është e mundur? Po. Ne jemi ekip më i mirë se vitin e kaluar dhe kemi mundësi të mirë për ta dëshmuar këtë”, tha Wenger.