Sistemi bankar është i sigurt dhe nuk do të preket nga kriza financiare, e cila mund të japë ndikimet indirekte në disa sektorë.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u bën thirrje të gjithë shqiptarëve që të tregohen të matur dhe të kenë besim te sistemi bankar.

"Individëve, publikut të gjerë do t‘i sugjeroja të tregohen të qetë, të matur dhe racionalë në mënyrën se si e menaxhojnë portofolin e tyre kursim-investime. Çdo formë kursimi apo investimi jashtë bankave, me para në dorë, mbart një rrezik të konsiderueshëm moral, financiar dhe fizik. Apeli im është i thjeshtë: konsultohuni për çdo veprim me bankën tuaj. Sistemi bankar mbetet këshilltari më i mirë për ju. Para se të ndërmerrni një transaksion financiar të çdo lloji, merrni një opinion edhe nga banka juaj. Ajo është bankieri juaj", tha kreu i BSH-së.

Sa u takon sektorëve që mund të preken nga kriza, Fullani thotë se, tkurrja e aktivitetit të një ekonomie, ndërmjet të tjerash, ndikon negativisht edhe në "eksportin e tepricave" të saj në mallra, kapital dhe investime në vendet partnere. "Në këtë, kuptim, ngadalësimi i mundshëm i të hyrave valutore mund të jetë një zhvillim i ardhshëm. Gjithsesi, mbetet ende i paqartë intensiteti me të cilin mund të shfaqet ky fenomen", tha Fullani.

Sa i takon vëllimit tregtar, rënia e mëtejshme e çmimeve mund të ndikojë në rënie, në të dy krahët e tregtisë së jashtme. Fullani thekson se, rënia e çmimeve mund të ndikojë indirekt edhe në ecurinë e të ardhurave fiskale.

Rreziqe të tjera të mundshme mund të jenë ato që kanë të bëjnë me situatën hidroenergjetike, me rritje të mundshme të çmimit të energjisë apo dhe me ecurinë e prodhimit bujqësor vendas.