05-02-2013 / Gazeta 55

Komisioneri Stefan Fyle është shfaqur shumë i shqetësuar dje nga tentativat e opozitës për të njollosur procesin zgjedhor dhe ka vendosur në krye të agjendës së takimeve të tij, thirrjet për moskontestimin e zgjedhjeve si dhe arritjen e kompromisit për marrjen e statusit kandidat, brenda këtij 6-mujori

Kryeministri Berisha priti në një takim Komisionerin për Zgjerim të Komisionit Evropian, Stefan Fule, i cili shoqërohej nga ambasadori i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi.
Kryeministri Berisha i shprehu Komisionerit Fule kënaqësinë për këtë takim, në të cilin u diskua për çështje të bashkëpunimit në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe hapat e nevojshëm për avancimin e reformave të axhendës europiane.
Në zbardhje të takimit mes kryeministrit Berisha dhe eurokomisionerit Fyle mësohet se është diskutuar, gjithashtu, për përgatitjet e procesit zgjedhor për zgjedhjet e datës 23 qershor, si dhe çështje në lidhje me zhvillimet në rajon. 
Sipas deklaratës zyrtare të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha e siguroi zotin Fule për angazhimin e plotë të mazhorancës për çuarjen përpara të procesit të integrimit dhe garantimin e një procesi zgjedhor sipas të gjitha standardeve të OSBE dhe Këshillit të Evropës. Takimi u karakterizua nga një bisedë e hapur dhe e frytshme. 
Ndërkaq kjo gjë u konfirmua edhe në deklaratën zyrtare komisioni Europian në  Bruksel që lëshoi pak orë më vonë pas takimeve në Tiranë.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e KE-së, “Komisioneri pati shkëmbime të hapura dhe të sinqerta me politikanët shqiptarë rreth prioriteteve të tyre për sa i përket aspiratave të vendit për integrim në Bashkimin Evropian dhe nënvizoi se statusi i vendit kandidat për Shqipërinë është i arritshëm, por u takon politikanëve shqiptarë ta bëjnë këtë realitet”. Komisioneri Fyle përsëriti që Komisioni është i vendosur të forcojë më tej procesin e integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
“I tërë procesi i reformave që kanë të bëjnë me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian duhet të jetë i qëndrueshëm, përfshirës dhe i udhëhequr nga konsensusi – në të mirë të të gjithë qytetarëve shqiptarë”, theksoi Komisioneri Fyle pas takimeve të tij. Komisioneri nënvizoi gjatë bisedimeve të tij në Tiranë që zhvillimi i suksesshëm i zgjedhjeve parlamentare të 2013 do të jetë një test kyç për funksionimin e mirë të institucioneve demokratike të vendit. Ai u bëri thirrje politikanëve të zhvillojnë zgjedhjet e qershorit në përputhje me standardet ndërkombëtare, të përmirësojnë besueshmërinë dhe reputacionin e institucioneve demokratike dhe të forcojnë përgjegjshmërinë e politikanëve kundrejt qytetarëve shqiptarë. Komisioneri i diskutoi këto çështje edhe me komunitetin ndërkombëtar në Shqipëri, përfshirë edhe përfaqësuesit e OSBE-së. 
Ndërkohë Komisioneri Fyle, në vizitën e tij zyrtare zhvilloi takime me dy liderët kryesore të PD dhe PS-së, në përpjekje për gjetjen e një rrugëzgjidhjeje për miratimin në Parlament të tre ligjeve të përcaktuara nga KE, si kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat. 
“Erdha për të diskutuar për çështjen më thelbësore të shtetit modern shqiptar, çfarë duhet bërë për zgjedhjet që ato të mos kontestohen”.
Kështu e ka komentuar arsyen e vizitës në Shqipëri Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle. Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian Stefan Fyle, ka pasur një axhendë të ngjeshur takimesh me krerët e politikës shqiptare.
Komisioneri Fyle u takua fillimisht në një mëngjes pune në Hotel Sheraton me ambasadorin  e BE-së, Ettore Sequi dhe të OSBE në  Eugen Vollfarth, si dhe me ambasadorin e SHBA-së Aleksandër Arvizu dhe me ambasadorët e tjerë të huaj të akredituar në vendin tonë.
Më pas axhenda vijoi me takimet me drejtuesit kryesorë të politikës. Rreth orës 10:45 Fyle u takua me Kryeministrin Sali Berisha, për t’u pasur me takimin mes tij dhe liderit të opozitës, Edi Rama, takim që u zhvillua rreth orës 12:05. Pas përfundimit të këtyre takimeve Fyle takoi dhe Presidentin Bujar Nishani. 

...