Liderët e Shteteve të Bashkuara, Francës dhe Rusisë i kanë bërë thirrje Armenisë dhe Azerbajxhanit që të lëvizin drejt një zgjidhjeje paqësore të konfliktit në Nagorno-Karabak.


Deklarata e përbashkët e presidentëve Obama, Sarkozi dhe Medvedev në Samitin e G8-ës u kërkon vendeve në fjalë "të demonstrojnë vullnet politik dhe të finalizojnë parimet bazë gjatë takimit të ardhshëm në qershor".


Presidentët e Rusisë, Armenisë dhe Azerbajxhanit do të takohen në muajin qershor në qytetin rus, Kazan.


Azerbajxhani dhe Armenia kanë luftuar për gjashtë vjet me radhë në Nagorno-Karabak, luftë e cila ka përfunduar me armëpushim në vitin 1994.


Ndërmjetësuesit nga Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Franca kanë udhëhequr negociata për këtë çështje, por është bërë pak progres.