Lëvizja G99 vlerësoi dje se qeveria Shqiptare, një vit përpara mbarimit të mandatit të saj, mbetet absolutisht e calë në përmbushjen e zotimit për të krijuar incentivat e nevojshme ligjore dhe rregulluese për mundësimin e klimës së domosdoshme për rikthimin e trurit në Shqipëri. “Angazhimi i atyre që jetojnë dhe studiojnë jashtë vendit në administratën publike por edhe në sektorin privat; angazhim, I cili për rrjedhojë do të sillte transferimin e teknologjisë, aftësive dhe njohurive të përfituara në disa nga vendet më të zhvilluara të botës, vazhdon të mbetet në vitin 2008 një ëndërr utopike. Këto vite të qeverisjes Berisha kanë projektuar dhe konsoliduar tashmë zhgenjimin masiv dhe dekurajimin e shqiptarëve që jetojnë dhe studiojnë jashtë vendit për t’u kthyer dhe vënë eksperiencat e tyre në shërbim të zhvillimit social ekonomik dhe për rrjedhoje përmirësimit të cilësisë së jetës në vend”, shprehet G99. Sipas kësaj Lëvizje “shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit mbahen peng nga pasiguria që vjen si rrjedhojë e kësaj qeverisje të paaftë e të pamoralshme e cila vetëm thellon amullinë tranzicionale që të gjithë përjetojmë prej 18 vjetësh tashmë”. Ndërkohë që G99 mendon se për ata që kanë studiuar jashtë vendit, ekuivalentimi i diplomave mbetet një proces burokratik, i kushtueshëm, e i mundimshëm; konkurset për administratë publike të stisura dhe jo të ndershme, iniciativat e qeverisë për lehtësimin e rikthimit të trurit të mangëta.







30 Korrik 2008