Të rinjtë e Kosovës nga 18 deri 29 vjeç do të mund të marrin pjesë bashkë me moshatarët e tyre nga rajoni në garën për shkrimin e një eseje me temën " Të rinjtë nga Evropa Juglindore për prosperitet të rajonit", e cila është organizuar nga Asambleja Parlamentare e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore. Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi në faqen e Kuvendit të Kosovës.

Tutje thuhet se eseja duhet të shkruhet në gjuhën angleze me më së shumti 1200 fjalë dhe të ngarkohet në web faqen www.competition.rspcsee.org deri më 31 mars 2016.

"Juria përbëhet nga 13 anëtarë, të cilët do t'i votojnë esetë në mënyrë anonime përmes faqes së internetit të konkursit gjatë muajve prill dhe maj. Ndarja e çmimeve për fituesit e tri pozitave të para do të bëhet në një ceremoni të veçantë gjatë sesionit vjetor të AP-së së PBEJL-së në qershor 2016", përfundon njoftimi.

Sipas njoftimit, fituesit e kësaj gare do ta vizitojnë Parlamentin Evropian në Bruksel dhe do të takohen me eurodeputetë dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian.

Të rinjtë e intervistuar nga KosovaLive vlerësojnë se pjesëmarrja në këtë garë është një mundësi e mirë për të shprehur njohuritë e tyre dhe për ta promovuar Kosovën.

"Për çdo shoqëri është me rëndësi avancimi dhe zhvillimi i të rinjve. Një hap domethënës drejt këtij avancimi është ky organizim, përmes përfshirjes të të gjithë të rinjve të rajonit në një aktivitet të tillë, i cili për ne krijon ndjenjën e të qenit të barabartë me të tjerët", tha Vlera Rexha.

Ndërkaq, sipas Vesa Sekiraqës arsye shtesë për konkurrim është shpërblimi, pra mundësia për ta vizituar Parlamentin Evropian.

"Mua si studente e Fakultetit Juridik më preokupojnë çështje të tilla si proceset politike, prosperiteti i Kosovës, rrjedhimisht edhe i rajonit. Pasi ka kohë për të aplikuar deri në mars, do të hulumtoj më shumë për këtë temë dhe mbase do të aplikoj me një ese", tha ajo.

Kjo garë do të jetë njëra nga ngjarjet me të cilën do të shënohet 20 vjetori i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, i cili ishte krijuar në Sofje, si rezultat i një takimi ndërmjet ministrave të jashtëm të shteteve të rajonit.

/Teuta Berisha - Vajzë Dëgjohu/

logo