16 vite punë, hulumtim e raportim. Por edhe çmime prestigjioze.

Me punë të palodhshme nga gazetarë e redaktorë të shumtë, gazeta "Zëri" po shënon sot numrin jubilar të pesëmijtë.

Ky përvjetor e gjeti "Zërin" me një dizajn të ri, më të pranueshëm për lexuesit.

Një motivim për stafin janë me siguri çmimet e shumta, vendore e ndërkombëtare, që u janë ndarë gazetarëve herë pas here.

Në një intervistë për KosovaPress, lidhur me sukseset dhe vështirësitë nëpër të cilat po kalon ky medium, flet zëvendëskryeredaktori, Lavdim Hamidi.

Hamidi: 16 vite sfidë dhe sukses për gazetën 'Zëri'

"Sot është numri i 5000-të i gazetës Zëri, gjatë këtij rrugëtimi 16 vjeçar ka pas sfida të shumta për gazetën dhe gazetarët, por më rëndësishmja është që gazeta zëri ka arrit të dëshmohet në treg si një medium i besueshëm dhe i pa anshëm, që ka arrit të dërgojë misionin e vet deri në fund për gazetari të saktë, objektive dhe të shpejtë... Gazetarët e zërit në vazhdimësi kanë raportuar për skandale të ndryshme për korrupsion, për ektremizimin fetar dhe në vazhdimësi gjatë raportimit të tyre janë përballur me kërcënime të ndryshme, padi nëpër gjykata, por kjo nuk i ka ndalë për punën e tyre për gazetari hulumtuese", thotë ai.

Suksesi më i madh për këtë medium tashmë dihet se është çmimi prestigjioz nga departamenti i shtetit amerikan që e fitoi kryeredaktorja Arbana Xharrra. Pastaj edhe çmimet për gazetari hulumtuese që iu ndanë nga Bashkimi Europian, Lavdim Hamidit dhe Alban Selimit.

Krejt këto bënë që gazetarët e "Zërit" mos të ndalën duke e nxjerrë zërin për të vërtetën dhe skandalet e ndryshme.

Por sfidë për këtë medium, siç në përgjithësi të gjitha gazetat e shtypura po e kanë, është konkurrenca me median online. Mediat online pothuajse kanë pushtuar tregun kudo.

E kjo e bënë më të vështirë punën e gazetës "Zëri".

Megjithatë, ajo do të vazhdojë të botohet pa ndërpre, ani pse kjo gazetë ka edhe portalin e saj i cili tashmë ka arr it një numër të madh të lexuesve.

Hamidi: Po mundohemi ta ruajmë gazetën e shtypur

"Kjo është vështirësia jonë më e madhe sepse gjatë punës sonë, në zëri online ne mundohemi ta ruajmë edhe gazetën. Informacionet ekskluzive që i kemi mundohemi t'i ruajmë për gazetë në ditën e nesërme në mënyrë që mos ta dëmtojmë gazetën, sepse është burimi kryesor i të hyrave për mediumin tonë dhe në këtë kohë kjo është shumë e vështirë të arrihet, megjithatë ndihemi disi të ia bëjmë kësaj. Portali është në zhvillim e sipër, ka arritur një numër madh të lexuesve mirëpo gazeta mbetet si shtylla kryesore e mediumit", thotë ai.

Ai thotë se "Zëri" do të arrijë edhe mijëra numra të tjerë, duke mos pasur kështu pengesa për botim.

"Zëri", gazetë kjo e cila po e ruan mjaftë mirë prezencën e saj në treg, ofron mundësi çdo herë edh e për gazetarë të rinj. Në muajt e verës shpallë konkurs për praktikantë/gazetarë, ku disa prej tyre kanë mundësi të fillojnë karrierën si gazetarë aty.

Gazeta "Zëri" numrin e parë e nxori disa muaj pas mbarimit të luftës, më 29 dhjetor të 99'ës.