"Në ndeshjen e javës së 14-të, atë ndaj Flamurtarit, do të synojmë fitoren", - është shprehur sulmuesi i Elbasanit, dhe aktualisht, edhe golashënuesi më i mirë i kësaj skuadre, Gentian Stojku. "Fitorja me Shkumbinin na shërbeu shumë nga ana morale, pas asaj humbjes në ndeshjen e kthimit me Turbinën, për Kupën e Shqipërisë", - tha sulmuesi elbasanas, i cili shënoi dy golat në ndeshjen e fundjavës së shkuar, ndaj Shkumbinit.
"Jemi në rivalitet me ekipin e Tiranës për fitimin e titullit dhe, deri në fund te kampionatit, do të përpiqemi për këtë synim", - theksoi ai. Mbi 70% e ekipit të verdhëebluve është i ri, por Stojku thotë se "ne si kampionë, jemi në rrugën e duhur dhe kërkojmë përkrahjen e tifozerisë". Në lidhje me ndeshjen në fushë të huaj me Flamurtarin, ai u shpreh se "do të shkojmë për të marrë tre pikët me Flamurtarin, pasi i vlen shumë ekipit për ecurinë dhe objektivat që ka. Në kampionatin e kaluar dhe këtë sezon, kam ndryshuar shumë role, por jam munduar që t'i përshtatem skemave te trajnerit dhe të jap sa mundem."