Me një vendim shumice, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë pushoi dje akuzën për "shpërdorim detyre" në ngarkim të Fatmir Mediut në lidhje me shpërthimin në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën. Pesë anëtarët e trupit gjykues, të drejtuar nga gjyqtari Besnik Imeraj, kanë vendosur të pranojnë kërkesën e avokatëve të Mediut, sipas së cilës, klienti i tyre kishte fituar imunitet pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit dhe në këto kushte kushtëzohej procesi gjyqësor. Avokatët e ish-ministrit të Mbrojtjes kanë kërkuar në fillim të seancës që ky proces të pushohet, pasi Mediu është rizgjedhur deputet me një mandat të ri që ligjërisht i sjell edhe një imunitet të ri, por kanë nënvizuar se ia lënë në dorë gjykatës që të gjejnë mekanizmat ligjorë që procesi të vazhdojë normalisht. Pas kësaj kërkese, prokuroria nuk ishte e përgatitur për ta kundërshtuar dhe kërkoi pushim prej disa minutash. Pas kësaj kreu i grupit hetimor, Sokol Stojani, e kundërshtoi kërkesën e mbrojtjes, duke u shprehur se heqja e imunitetit është miratuar njëherë nga Parlamenti në momentin e nisjes së ndjekjes penale për zotin Mediu. Pasi kishte kaluar mesdita, si dhe pas dekretimit të ministrave të qeverisë së re nga Presidenti i Republikës, midis të cilëve edhe emrin e Fatmir Mediut si ministër i Mjedisit, kolegji vendosi pushimin e procesit.







Procesi



Gjyqi me të pandehur Fatmir Mediun, që akuzohej nga Prokuroria e Përgjithshme për shpërthimin e 15 marsit 2008, filloi dje rreth orës 10:00 për të përfunduar pas tre orësh, me një vendim pushimi. Në katin e dytë të Gjykatës së Lartë, në një sallë të vogël, ishin të pranishëm disa nga familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit, si dhe vëzhgues ndërkombëtarë që monitoronin gjyqin në lidhje me dispozitat ligjore që paraqiteshin në seancë. Menjëherë pasi ora shënoi dhjetë paradite, trupi gjykues i përbërë prej pesë anëtarësh dhe me drejtues gjyqtarin Besnik Imeraj, hyri në sallë, ndërsa u parashtroi palëve ndryshimet që kishte pësuar Kolegji Penal, për shkak të ndërrimit të një gjyqtari. Në vendin e gjyqtares Irma Bala, e cila po kurohet në Itali, ishte pozicionuar gjyqtari Ardian Nuni, i cili ka denoncuar disa muaj më parë një atentat të bërë ndaj tij. Palët në proces kanë pranuar ndryshimin, teksa kryetari i trupit gjykues ka pyetur nëse kanë kërkesa paraprake. Prokurorët kanë heshtur, ndërsa është ngritur menjëherë avokati i Mediut, Ardian Visha, dikur zyrtar i lartë i Prokurorisë së Përgjithshme, i larguar nga detyra e prokurorit pasi u transferua në Prokurorinë e Apelit Gjirokastër. Tashmë në rolin e mbrojtësit ligjor të ish-ministrit të Mbrojtjes Mediu, Visha do të fillonte deklaratën e tij me fjalët: "Do të donim që procesi gjyqësor të vazhdonte për shkak të ngjarjes së rëndë, por në kushtet e reja që ndodhet i mbrojturi prej meje, zoti Fatmir Mediu, kërkojmë pushimin e procesit gjyqësor, pasi me një vendim të KQZ-së ka fituar imunitetin nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2009". Avokati Ardian Visha do të deklaronte se i mbrojturi prej tij ka fituar imunitetin më datën 7 shtator, ndërsa do t‘i depozitonte gjykatës një memo të përgatitur në lidhje me kërkesat. Ai këmbënguli se dëshiron që ky proces të zhvillohet normalisht, por vërtetimi i marrë në Parlament ia pengon një gjë të tillë Gjykatës së Lartë. Duke iu referuar nenit 73, pika 2 të Kushtetutës, Visha do të shtonte se nuk ka asnjë mekanizëm ligjor që mund të lejojë të vijojë ky proces, ndërsa ia linte në dorë gjykatës që të gjente një zgjidhje që ky proces të zhvillohej.







Prokuroria



Pas depozitimit të një memoje të mbrojtjes së Mediut, trupi gjykues ia dha fjalën organit të akuzës nëse kishin kundërshtime. Të ndodhur në këtë situatë, kreu i hetimeve për "Gërdecin", Sokol Stojani, kërkoi nga gjykata dhjetë minuta pushim për t‘u njohur hollësisht mbi kërkesën e mbrojtjes. Pesë prokurorët dhe tre hetuesit janë shpërngulur në katin e tretë të Gjykatës së Lartë për të diskutuar rreth mënyrave për të kundërshtuar mbrojtjen e Mediut. Pas konsultave janë drejtuar në seancë dhe parashtruan me shkrim se procesi mund të vazhdojë pasi prokuroria dhe gjykata nuk ia kanë kthyer imunitetin Mediut. Në dy pika, prokurorët kanë nënvizuar se i pandehuri në këtë proces është i ndjekur penalisht dhe ndryshimi i legjislaturës së re nuk mund t‘i kthejë imunitetin që i është hequr nga Parlamenti i vjetër. "Imuniteti fitohet vetëm në momentin që gjykata e shpall të pafajshëm apo prokuroria ia pushon akuzat. Deri në këto momente nuk kemi asnjë prej këtyre dhe si rrjedhojë i pandehuri nuk ka imunitet dhe procesi duhet të vazhdojë", tha Stojani.







Vendimi



Pas parashtrimit të kërkesave dhe kundërshtive të tyre, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit. Pesë anëtarët e Kolegjit Penal u "izoluan" në dhomën e konsultave ku diskutuan ligjshmërinë e kërkesave. Pas më shumë se 90 minutave, në momentin që Presidenti i Republikës kishte dekretuar qeverinë e re, trupi gjykues është futur në sallë për të lexuar shkurtimisht vendimin që kishin marrë me shumicë votash. "Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi dëgjoi mbrojtësit e të pandehurit Fatmir Mediu, që pretenduan faktin e zgjedhjes deputet të të mbrojturit prej tyre, fakt që sipas tyre kushtëzon vazhdimin e ndjekjes penale dhe përfaqësuesit e organit të akuzës që kërkuan vazhdimin e gjykimit, vërejtën se; në bazë të vendimit nr. 602, dt. 01.08.2009 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se i pandehuri Fatmir Mediu është zgjedhur deputet i legjislaturës së 18 të Kuvendit të Shqipërisë. Kjo rrethanë nuk e lejon vazhdimin e procedimit penal në ngarkim të tij, për aq sa nuk ka një autorizim për ndjekje penale të dhënë nga Kuvendi i Shqipërisë mbas marrjes prej tij të mandatit të deputetit. Për këto arsye, mbështetur në nenin 73/2 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenet 290/e dhe 387/1 të Kodit të Procedurës Penale, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, vendosi: Pushimin e procedimit penal në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu për shkak se ndjekja penale ndaj tij nuk mund të vazhdojë", thuhet në vendim.