Armand Bajrami

Ish-ushtarakët të vënë nën akuzë në procesin “Gërdeci II” kërkuan dje veçimin e çështjes së tyre nga ajo e Mihal Delijorgjit dhe 3 të bashkëpandehurve të tjerë të akuzuar për “vrasje masive” e “shkelje e rregullave me lëndët plasëse”.
Kërkesa u paraqit nga avokatët mbrojtës të ish-ushtarakëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, në të parën seancë të zhvilluar të këtij gjykimi në Gjykatën e Tiranës. Të ftuar nga kryesuesi i seancës, gjyqtari Ridvan Hado, për parashtrimin e kërkesave paraprake 22 avokatë, të cilët përfaqësonin 25 të pandehur kërkuan veçim të çështjes për klientët e tyre. Sipas avokatëve, ky pretendim bazohej në faktin që klientët e tyre akuzohen vetëm për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikim të dokumenteve”. Gjithashtu, sipas tyre, në dosje nuk ekzistojnë prova që të vërtetojnë bashkëpunim të ngushtë të së pandehurve që ata përfaqësojnë me katër të pandehurit e akuzuar për vepra të rënda penale. Përfaqësuesit e organit të akuzës nuk e pranuan dje kërkesën për ndarje të çështjes. “Kjo do të dëmtonte vërtetimin e fakteve”, tha prokurori Altin Dumani. Gjykata e Tiranës do të shprehet për pranimin apo jo të kërkesës për veçim të dosjes së ish-ushtarakëve të mërkurën e ardhshme, në seancën e radhës të këtij gjykimi.
SEANCA
Procesi për tragjedinë me 26 të vdekur ka dështuar pesë herë me radhë në Gjykatën e Tiranës, kryesisht për shkak të mungesës së avokatëve. Seanca e djeshme për të akuzuarit si përgjegjës për shpërthimin e 15 marsit 2008 në Gërdec, shënoi episodin e pare në Gjykatën e Tiranës. Të pranishëm në seancë kanë qenë të gjithë avokatët e të pandehurve, ndërsa është vënë re mungesa e të pandehurve të arrestuar që në këtë gjykim janë Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Dritan Minxolli dhe Sokol Gjeci. Pasi ka deklaruar mungesën e tyre trupa gjykuese konsideroi të hapur procesin dhe kërkoi të njihet me kërkesat paraprake të palëve. Në vijim gjykata refuzoi kërkesën e prokurorisë, e cila pretendonte papajtueshmëri të avokatit që mbronte Mihal Delijorgjin dhe “Albademil” shpk, si edhe avokatin që mbronte interesat e të pandehurve Shkëlqim Spahiu e Ardian Mullai. Ndërsa pas këtij vendimi gjykata u gjend në “breshërinë” e kërkesave të njëpasnjëshme të avokatëve të ushtarakëve Luan Hoxha, Shpëtim Spahiu e Dashnor Çaushi dhe të tjerëve për veçim të çështjes nga të pandehurit Delijorgji, Pinari, Minxolli dhe Gjeci. E njëjta kërkesë u bë edhe nga avokatët e civilëve të pandehur në proces. Sipas tyre, veçimi bëhej për shkak se të pandehurit e tyre nuk akuzoheshin për “vrasje të një apo më shumë personave” dhe “shkelje të rregullave me lëndët plasëse dhe radioaktive”. Procesi “Gërdeci 2” në gjykatën e kryeqytetit është zhvilluar me dyer të hapura për mediat, ndërsa dje avokati i të pandehurit Ylli Pinari kërkoi “mbylljen e dyerve”. Sipas tij, në aktet e dosjes përmenden të dhëna sekrete, që në rast publikimi do të cenonin elementë të sigurisë kombëtare. Gjatë hetimit për tragjedinë e Gërdecit, Prokuroria e Përgjithshme sekuestroi edhe disa komunikata dhe dokumente “të klasifikuara” të reparteve dhe sektorëve të ndryshëm të ushtrisë, publikimi i të cilave mund të cenojë aspekte sekrete të mbrojtjes.   

Të pandehurit

Akuza “shpërdorim detyre”
Luan Hoxha
Agim Lala
Shpëtim Spahiu
Zija Bahja
Armand Tartari
Ndue Marku
Ardian Mullahi
Adriatik Mema
Shkëlzen Madani
Dashnor Çaushaj
Zenun Fero
Hysni Çoçka

Akuzë për “vrasje masive”
Ylli Pinari
Mihal Delijorgji
Dritan Minxholi
Sokol Gjeçi