FIER – Pas disa javësh hetimi është bërë e mundur të zbulohet fabrika që prodhonte birrë me etiketa false, si dhe të shpallet në kërkim pronari i objektit me vlerë 500 mijë euro. Burimet zyrtare të policisë së Fierit bëjnë të ditur se gjatë operacionit të koduar “Gërshërët” është bllokuar një fabrikë, brenda së cilës ndodheshin rreth 30 mijë etiketa false, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Nga të dhënat në grupin hetimor mësohet se është shpallur në kërkim shtetasi M.B., i cili ka në pronësi objektin me vlerë prej 500 mijë eurosh. Burimet bëjnë të ditur se objekti ndodhet në Patos. Nisur nga sinjalet dhe informacionet që uniformat blu kishin marrë për këtë aktivitet ilegal, policia e Fierit mundi vetëm ditën e premte të sekuestronte këtë aktivitet. Sipas burimeve policore, fabrika kishte një vlerë prej 500 mijë eurosh, ndërsa janë sekuestruar 30 mijë etiketa false. Gjithashtu mësohet se pronari M.B. është vënë në kërkim policor pasi mbi të rëndojnë akuzat për “falsifikim të vulave dhe stampave”. Ndërkohë, uniformat blu theksojnë se pronari i kësaj fabrike është arrestuar edhe më parë për të njëjtat akuza. Prej disa ditësh, forca të shumta policore janë përqendruar në rrethin e Fierit ku po kryhen aksione për kapjen e personave të shumëkërkuar. Para dy ditësh është prangosur Gëzim Stravecka, pasi akuzohej për trafik ndërkombëtar droge.



Pakujdesia, digjet banesa e 65-vjeçarit të verbër

ELBASAN – Flakët e zjarrit të shkaktuara nga një pakujdesi kanë shkrumbuar banesën e një familjeje të varfër në fshatin Katund i ri në Komunën e Bradasheshit në Elbasan. Kjo ka rrezikuar jetën e të zotit të shtëpisë, i cili është i verbër, si dhe të një fëmije. Ata kanë dalë nga shtëpia falë ndërhyrjes së menjëhershme të fqinjëve. Shtëpia private e familjes së shtetasit Halit Meta, 65 vjeç, u dogj brenda pak minutash gjatë paradites së të shtunës, duke shkrumbuar edhe ato pak mobilje në të cilat akomodoheshin pjesëtarët e kësaj familjeje. Në dhomën që është përfshirë nga flakët ndodhej edhe një fëmijë i mitur si dhe i zoti i shtëpisë që është i verbër. Ata janë shpëtuar nga fqinjët sapo kanë parë flakët e para të zjarrit. Zonja e shtëpisë, Sabrija, tregon me lot në sy për tmerrin që i është dashur të shohë edhe në fatkeqësi të tjera të familjes. 12 fëmijë i kanë vdekur për shkak të sëmundjeve që kanë ardhur si pasojë e keqngrënies. I zoti i shtëpisë, që është i verbër, e shpreh me lot dhimbjen që i ka shkaktuar skamja. Por ajo që ia ka rënduar edhe më shumë këtë dhimbje është djegia e një pjese të shtëpisë sepse jeta e tyre aty tashmë bëhet edhe më e rrezikshme për shkak se pjesa tjetër është e amortizuar dhe gati e pabanueshme.

10 Mars 2008