Është gjetur i vdekur nga barinj që kishin shkuar për ta thirrur një 62-vjeçar nga fshati Dukat i Rrethit të Vlorës. Ai kishte shkuar për të ruajtur dhentë në stanin e tij në Karaburun dhe ka munguar gjatë. Mungesa e tij është vënë re nga të tjerë barinj, që kishin stanet pranë, të cilët kanë shkuar të shohin 62-vjeçarin. Ata e kanë gjetur shokun të pajetë në ambientet e stanit dhe kanë njoftuar menjëherë policinë, që ka shkuar në vendngjarje për të verifikuar situatën. Trupi i pajetë i bariut është çuar në morgun e spitalit, ku i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore, nga ku rezultoi se ai ka vdekur si pasojë e një infarkti. Në goditjen në zemër mendohet të kenë ndikuar edhe kushtet e këqija atmosferike në zonë, pasi temperaturat e ulëta, era dhe shiu i dendur kanë përfshirë të gjithë zonën e Karaburunit gjatë natës së të dielës. Veprimet procedurale janë mbyllur, pasi vdekja është cilësuar natyrore.

SSSASS