Gjergj Ndreca


Alfred Dalipi: Se mos na rreh Pollon.


Intervista e ish të dënuarit politik Gjergj Ndreca dhënë për Panorama, se ditën e enjte do të rrahë në Parlament një ministër të kabinetit qeveritar, është komentuar dje në Komisionin e Edukimit dhe Medias në Kuvend. Komisioni parlamentar ka vendosur të thërrasë në një seancë dëgjimore ministrin e Inovacionit dhe të Teknologjisë, Genc Pollo, për të raportuar lidhur me qëndrimin e ri të maxhorëncës, që kërkon shtyrjen e ligjit Për transmetimet me zë dhe figurë. Por diskutimi u shoqërua me batutën e anëtarit të opozitës, Alfred Dalipi, i cili kërkoi të merren masa për të mos lejuar dhunimin e ministrit Pollo nga Gjergj Ndreca. A vendosëm të thërrasim për raportim Genc Pollon? Propozoj që të marrim masa mos e rreh i dënuari politik (Gjergj Ndreca), theksoi deputeti i PS-së. Por kjo deklaratë është shoqëruar dhe me komentin e kryetares së Komisionit, Valentina Leskaj, e cila tha se: Të përndjekurit kanë të drejtën e tyre, Fredi. Gjatë mbledhjes së djeshme, opozita është paraqitur e përçarë në qëndrime lidhur me shtyrjen e miratimit të projektligjit të transmetimeve më zë dhe figurë. Nënkryetari i Komisionit, Mark Marku, kërkoi që projektligji të shtyhet derisa të miratohet strategjia e dixhitalizimit, ndërsa për opozitën ky ishte një pretekst i maxhorancës. Keni 2 vjet që mungoni ose keni qenë me kohë të pjesshme. Ne mendonim që në shtator të kalonim projektligjin dhe, meqë nuk u kalua atëherë dhe meqenëse strategjia dixhitale është thuajse gati dhe në një farë mënyrë nuk ka pse të mos presim dhe një 2 apo tri javë, theksoi Marku. Por, kryetarja Leskaj u shpreh se projektligji duhej miratuar dhe se është humbur kohë. Për ligjin e transmetimeve më zë dhe figurë ka kaluar mjaft kohë dhe besoj se tani jemi në pikën e duhur, pasi relatorët kanë përfunduar punën e tyre, të fillojmë shqyrtimin e projektligjit, fillimisht në parim dhe më pas nen për nen, pohoi ajo. Por deputeti i PS-së, Alfred Dalipi, theksoi se: Si propozim është racional. Dy javë apo tri javë janë të arsyeshme që të kolaudohet strategjia dixhitale me projektligjin, por nuk do të doja që kjo të ishte një strategji për të shtyre ligjin.


Batutat në Komision

Alfred Dalipi: A vendosëm të thërrasim për raportim Genc Pollon? Propozoj që të marrim masa mos e rreh i dënuari politik (Gjergj Ndreca)

Fatbardh Kadilli: Çi ke këto deklarata, Alfred?

Valentina Leskaj: Të përndjekurit kanë të drejtën e tyre, Fredi.