Ish- i burgosuri politik, Gjergj Ndreca, është aktualisht 51 vjeç dhe është dënuar në vitin 1984 me 15 vjet burg për tentativë arratisjeje.
Ai është nga Mirdita dhe siç tregojnë bashkëvuajtësit e tij ishte një kundërshtar i regjimit, për një jetë më të mirë kishte vendosur të largohej. Tentoi të arratisej në ish-Jugosllavi, por u kap. Pas shumë muajsh në hetuesi dhe në tortura ai u dënua me 15 vjet burg, nga të cilat ka vuajtur vetëm 6.
Dënimin e ka kryer në burgjet më të egra të kohës së komunizmit në Burrel, në Spaç dhe në fund në Qafe Bari, ku dhe u lirua me rënien e komunizmit. Gjergj Ndreca pas daljes nga burgu krijoi familje dhe ka katër femije. Ai ka marrë pjesë në shumë protesta të ish- të përndjekurve politikë, që kanë kërkuar të drejtat e tyre.
Emri i tij u bë shumë i njohur disa muaj më parë kur gjatë një proteste të ish- të përndjekurve politikë, goditi me grusht deputetin demokrat Ilir Rusmali, të cilin e akuzonte si inkuizitor. Në të gjitha manifestimet e protestës ai ka qenë në krye dhe grevën e fundit të urisë e ka organizuar së bashku me shokun e tij të vjetër të burgut, Perikli Shqevi, i arrestuar nga policia rishtas.
Disa herë Gjergj Ndreca është shoqëruar nga policia pas protestave dhe deklarimeve te tij kundër qeverisë dhe kryeministrit. Protesta e vazhdueshme e ish- të burgosurit politik, Gjergj Ndreca, lidhej me mosdhënien nga ana e shtetit shqiptar të dëmshpërblimeve për vitet e burgimit në regjimin komunist./TCH