Në fushat e lojës ndodh që të shihen zënka mes shokëve të skuadrës, por sherri ndërmjet Mikael Balak dhe Lukas Podolskit i ka çuditur të gjithë tifozët gjermanë, pasi lojtarët po aktivizoheshin me fanellën e Kombëtares. Skuadra e drejtuar nga Joakim Lëv, fitoi 2-0 në fushën e Uellsit, gjithsesi episodi më i diskutuar ishte shuplaka e lojtarit të Bajernit të Mynihut ndaj mesfushorit të Çelsit. Komentatorët televizivë dolën në mbrojtje të kapitenit të skuadrës, i cili i kërkonte vazhdimisht llogari sulmuesit me origjinë polake. Balak u paraqit në sallën e konferencave i buzëqeshur, duke kërkuar që të ulë tonet rreth ngjarjes: "Podolski është një lojtar i shkëlqyer, por nëse diçka nuk shkon mirë, duhet sqaruar pas ndeshjes. Lojtarët mund të debatojnë në fushën e lojës, por nuk duhet të ketë reagime të këtij lloji. U sqaruam rreth episodit, por jam i sigurt se do të flasim përsëri". Trajneri Lëv mbështeti liderin e Gjermanisë: "Kapiteni ka të drejtë, në fushë ai i jep udhëzime taktike shokëve, të cilët janë të detyruar t‘i zbatojnë". Megjithatë, sipas pohimeve të menaxherit të skuadrës, Oliver Bierhof, protagonistët e debatit nuk do të ndëshkohen. Në anën tjetër, Podolski jo vetëm që nuk ka kërkuar falje publike për veprimin e tij, por ai nuk ka preferuar t‘i përgjigjet interesimit të gazetarëve rreth ngjarjes.