Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle është kërcënuar me bojkotim të Konferencës për Afganistanin, e cila në fund të janarit do të zhvillohet në Londër, nëse në këtë Konferencë nuk i kushtohet prioritet rindërtimit civil të Afganistanit.

“Nëse Konferenca për Afganistanin në Londër shndërrohet në një Konferencë për dërgimin e forcave shtesë në këtë vend, atëherë unë nuk do të udhëtojë fare në Londër”, i tha Westerwelle të përjavshmes gjermane, “Stern”.

Ai më tutje shtoi se në vend të debatit, i cili do të kufizohet vetëm në çështjet ushtarake, bashkësia ndërkombëtare ka nevojë për një pikënisje politike dhe një strategji të përbashkët.

“Përmbajtja e Gjermanisë, sa i përket misioneve ushtarake jashtë vendit, është tejet e shëndoshë. Po të ishte ndryshe, atëherë do të isha tejet i brengosur”, nënvizoi Westerwelle.