Kreu i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, në një reagim për gazetën “Shqip”, tha se deklaratat e Berishës se Kushtetuta nuk e lejon hapjen e kutive ose rinumërimin janë papërgjegjshmëri dhe karagjozllëqe nga ana e tij. Sipas hetimit dhe kontrollit janë dy gjëra të pashmangshme. “Hetimi dhe kontrolli janë të pamohueshme dhe bëhen për gjëra që kanë ndodhur. Në këtë rast, hetimi parlamentar synon në veçanti hetimin e ekzekutivit dhe në këtë rast janë konstatuar shkelje. Por deklaratat e Berishës janë të papërgjegjshme. Ai përdor vendimet e gjykatës, por nga ana tjetër, Kuvendi ka për detyrë të shohë se si është zbatuar ligji. Berisha bën lojëra fjalësh, thotë hetim zgjedhor, por jo hapje kutish. Ky është një karagjozllëk”, deklaroi kreu i Partisë Social Demokrate. Rezoluta e miratuar nga Asambleja Parlamentare të Këshillit të Europës sanksionon se opozita duhet të hyjë në Parlament, por duhet të lejohet hetimi i zgjedhjeve sipas Kushtetutës.






#