Aksioni simbolik i opozitës përmes hedhjes së vezëve drejt kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, derisa po raportonte në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës për marrëveshje e nënshkruara në Bruksel në kuadër të dialogut me Serbinë, ka nxitur reagime për dhe kundër, me vijë të qartë të ndarjes pozitë dhe opozitë.
Ngjarjet e ditës së sotme dhe mënyra e bllokimit të punës së Kuvendit të Kosovës ka ngjallur reagime edhe te qytetarët e rëndomtë dhe te njohësit e çështjeve politike.
KosovaLive ka siguruar mendimin e disa njohësve të çështjeve politike për ngjarjet e sotme, nga të cilët këto veprime kryesisht vlerësohen në kundërshtim me vlerat demokratike dhe vetë dispozitat ligjore të miratuara po nga ky Kuvend i Kosovës.
Ata thonë se nuk është në rregull që opozita fuqinë e vetme karshi pozitës e sheh në përdorimin e mjeteve tjera, jodemokratike.
Politikologu Albinot Maloku ka thënë për KosovaLive se pakënaqësitë e popullatës me garniturën politike aktuale të instaluar në organet shtetërore të Republikës, në të gjitha nivelet janë të pranishme, por sjelljet e mos respektimit të organeve e institucioneve shtetërore me synimin për ta hequr garniturën politike aktuale në vend nuk bëhen duke mos respektuar rendin ligjor e kushtetues në vend.
"Të kënaqur me punën e Qeverisë Mustafa dhe të këtij koalicioni qeverisës në Republikën e Kosovës janë vetëm grupet e afërta me pushtetin, por jo edhe popullata e vendit, mirëpo as me punën dhe veprimet e opozitës aktuale nuk po bindet askush në pastërtinë e synimeve të tyre", ka thënë Maloku.
Edhe analisti Blerim Burjani ka thënë se situata politike në vend po vjen duke u nxehur me veprime të ndryshme dhe me përdorim të një gjuhe të vrazhdë dhe përplot banalizma.
"Realisht Kosova ka nevojë për një model të ri të qeverisjes, si pozita edhe opozita kanë bërë dëm qytetarëve dhe qytetarët asgjë nuk kanë fituar në drejtim të zgjidhjes së problemeve të përditshme.
Pozita aktualisht ka bërë marrëveshje pa e futur fare në lojë apo në ekipin negociator opozitën. Ky është gabim trashanik. Për interesa madhore të dy palët kanë përgjegjësi qytetare. Prej pozitës aktuale 'fituan' marrëveshje të dyshimta për shtetin dhe sovranitetin e tij, ndërsa prej opozite qytetarët 'fituan' banalizim të jetës institucionale me dhunë", ka thënë Burjani.
Ai ka thënë se qytetari duhet të vetëdijesohet dhe mos të i votojë këto subjekte aktuale në parlament as pozitën e as opozitën, pasi sipas tij, këta njerëz nuk i shërbyen asnjëherë qytetarit, por vetëm interesave personale, partiake dhe familjare.
Rikujtojmë se në seancën plenare fillimisht kryeministrit Mustafa i është ndërprerë fjalimi gjatë raportimit para deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel në kuadër të dialogut me Serbinë, pasi deputetë të partive opozitare e kanë gjuajtur me ve.
Kryeparlamentari Kadri Veseli gjatë kësaj seance u gjet disa herë në një situatë pa rrugëdalje, sidomos kur pjesëtarë të sigurimit të kryeministrit Mustafa kishin hyrë në sallë për ta marrë në mbrojtje kryeministrin dhe për ta larguar nga salla.
Pengesa e parë nga opozita ishte zhurma e krijuar pasi deputetët opozitarë filluan të reagojnë, e më pas edhe të hedhin vezë në drejtim të kryeministrit Mustafa.
Gjuajtja me vezë e kryeministrit Isa Mustafa filloi kur ai gjatë fjalës së tij tha se marrëveshjet me Serbinë dhe ajo e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.