Dino Kristodoulou do të vuajë 20 vite burg, ndërsa Robin Xhejms Arnold 15 vite
Laureta Rryçi

Gjykata e Tiranës dënoi dje me 35 vjet burg dy shtetasit britanikë që akuzohen për “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale më të mitur”. Vendimi është dhënë dje pas mesditës nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë. Një seancë më parë, përfaqësuesi i akuzës kërkoi 39 vjet burg për të dy ish-drejtuesit e qendrës “Fëmijët e Tij”, ndërsa Gjykata dha 20 vjet burg për Dino Kristodoulou dhe 15 vjet heqje lirie për Robin Xhejms Arnold. Ndërkaq, Gjykata ka vendosur që pas kryerjes së dënimit të dy shtetasit britanikë të shpallen të padëshirueshëm në vendin tonë. Vendimi erdhi pas shqyrtimit të të gjitha provave të administruara dhe dëshmitë e fëmijëve të abuzuar të qendrës “Fëmijët e Tij”, e drejtuar nga Devid Braun. Ky i fundit është dënuar me parë me 20 vjet burg pasi dosja e tij u veçua nga ajo e dy shtetasve të tjerë britanikë. Një nga pikat më të forta të akuzës kanë qenë dëshmitë që kanë dhënë ish-punonjëset e qendrës “Fëmijët e Tij”. Avokatët e të pandehurve u shprehën se do ta apelojnë vendimin pasi nuk janë dakord me masën e ndëshkimit.
Zbulimi
Një shtetase holandeze denoncoi atë skandal që deri atë ditë asnjë institucion shtetëror nuk kishte arritur ta zbulonte. Xhakoba Diken (Jacoba Dikken), e cila kishte punuar më parë në këtë qendër, u bënte me dije autoriteteve skandalet dhe abuzimet që kryheshin në këtë qendër. Menjëherë pas marrjes së këtij kallëzimi, prokuroria nisi punën dhe më datë 15 maj 2006 e dorëzoi dosjen në gjykatë, me të pandehurit Xhon Dejvid Braun, Dino Kristodoulou, Robin Xhejms Arnold dhe Janaq Papleka, ky i fundit i akuzuar vetëm për moskallëzim krimi. Gjatë kohës së nisjes së procesit, dy shtetasit anglezë, Kristodoulou dhe Arnold, nuk ndodheshin në Shqipëri, për ta menjëherë u nisën proceduarat e ekstradimit. E ndodhur në këto kushte, Gjykata vendosi të veçojë dosjen dhe të nisë procesin vetëm për drejtuesin e qendrës, Dejvid Braun, i cili, në përfundim u dënua me 20 vjet burg për të njëjtën vepër me të cilën akuzohen edhe dy bashkëpunëtorët e tij. Gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesja e organit të akuzës kërkoi nga Gjykata që në dhënien e vendimit të merret parasysh fakti se i pandehuri Robin Xhejms Arnold ka qenë i dënuar edhe dy herë të tjera në Angli për të njëjtën akuzë.
Rastet
Sipas organit të akuzës, është provuar se Dino Kristodoulou ka kryer marrëdhënie homoseksuale me 7 fëmijë dhe konkretisht me D. A., i datëlindjes 1998, A. Q., i datëlindjes 1996, M. Q., i datëlindjes 1997, E. M., i datëlindjes 2000, D. M, i datëlindjes 1999, F. M., i datëlindjes 1998 dhe F. M., i datëlindjes 2001. Ndërsa për Robin Arnold është provuar abuzimi më dy fëmijë, L. K. dhe G. B. Duke iu referuar pretencës së prokurorisë, “nga të gjitha dëshmitë e marra gjatë procesit, është arritur të provohet se dy të pandehurit kanë kryer këto abuzime, të cilat janë pranuar përpara Gjykatës dhe nga vetë fëmijët e abuzuar nga këta dy të pandehur. Një pjesë e tyre janë thirrur përpara Gjykatës, ndërsa për fëmijët që nuk u bë e mundur të gjendeshin dhe të thirreshin për të dëshmitar, organi i akuzës ka lexuar deklarimet që ata kanë dhënë përpara prokurorisë. Një nga pikat më të forta të akuzës kanë qenë dëshmitë që kanë dhënë ish-punonjëset e qendrës “Fëmijët e Tij”. Një ish-punonjës, Nathaniel Levis Davis (Nathaniel Lewis Davis), ka deklaruar: “Dino flinte në dhomën e fëmijëve të vegjël të moshës 4-9 vjeç kur ka qëndruar në fondacion. Dino më ka rrëfyer njëherë se kishte qenë një homoseksual pasiv në të kaluarën dhe se kishte fjetur me një mashkull. Ai fliste se dëshironte të gjente një ‘nuse të bukur’ gjatë kohës që ishte në Shqipëri”. Këtë dëshirë Dino e kishte shprehur në vitin 2006. Ndërsa përsa i përket Robinit, ai kishte deklaruar se kishte merak një nga djemtë që quhej G. B., të cilit i bleu dhe një makinë me telekomandë. “Robin i mori të dhënat e hollësishme për G. nga një faqe interneti për jetimoren. “Unë mora vesh në jetimore se Robin i kishte thënë njërit nga personeli se një nga djemtë, i quajtur L. K., kishte fjetur më të një natë. Davidi, Lea dhe unë e thirrëm L. në dhomë dhe e pyetëm lidhur me këtë gjë”, - mbylli deklarimet e tij Deivis.


13 Janar 2010