“Spiuni” i “Wikileaks” brenda ushtrisë amerikane, Bradley Manning, duhet të përballet me gjykim ushtarak, rekomandoi një Gjykatë Ushtarake në SHBA.



Nëse kjo do të ndodhë, Manning mund të përballet me dënimin me vdekje për akuzat e tradhëtisë së lartë, ndihmë ndaj armikut dhe spiunazh.

Një ish-analist kompiuterik i ushtrisë amerikane, Manning dyshohet se ka furnizuar të gjithë kabllogramet për “Wikileaks”, e cila ka zbuluar me dhjetëra mijëra dokumente të koduara, kryesisht komunikime të ambasadave amerikane nëpër botë me qëndrën e tyre në Uashington.

Rreshteri 24-vjeçar është duke u përballur me një proces, që do të përcaktojë nëse ai do të gjykohet nga një gjykatë ushtarake apo civile.

Në një komunikatë, kreu i Gjykatës Ushtarake Amerikane, koloneli Paul Almanza, theksoi se: “Ka prova të mjaftueshme për të dyshuar se i akuzuari i ka kryer krimet që rëndojnë mbi të. Për këtë arsye, rekomandoj që çështja e tij të trajtohet ushtarakisht”.

Në seancat e deritanishme, avokatët mbrojtës të Manning janë përpjekur të evidentojnë se veprimet e tij bëheshin, sipas të pandehurit, për një arsye të duhur, për të sjellë më shumë transparencë në botë dhe se ai nuk e kuptonte rëndësinë e asaj që po bënte.

Ata e kanë portretizuar Manning si një të ri me probleme të theksuara personale, përfshi vuajtjen nga mungesa e stabilizimin të një identetiti të përcaktuar seksual.

Në total, “Wikileaks” ka publikuar rreth 250 mijë dokumente të koduara, për një total prej miliona faqesh që kanë tronditur botën gjatë 2011-s.