Drejtësia shqiptare vijon përpjekjet për të sabotuar reformën në drejtësi. Nisja e vetingut ka mbërthyer nga paniku si gjyqtarë e prokurorë ashtu edhe politikanë, prandaj të gjithë janë duke menduar si ti shpëtojnë këtij procesi.Por duket se përpjekjet për të ndalur reformën nuk kanë fund. Si prokurorët ashtu dhe gjyqtarët janë duke vënë në lëvizje planin e tyre të fundit para zbatimit total të vetingut. Në mars pritet që të nisë kontrolli i pasurisë së gjyqtarëve e prokurorëve dhe në të njëjtën kohë të ngrihen dhe organet e reja, siç janë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Mirëpo duket se gjyqtarët dhe prokurorët nuk po rrinë duarkryq. Së pari është Gjykata Kushtetuese ajo e cila ka ende në dorë fatet e reformës në drejtësi. Pranë saj janë ankimuar dy ligje: Ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i ankimuar nga Unioni i Gjyqtarëve; dhe ligji për organet e reja të drejtësisë (KLGJ; KLP; KED) i ankimuar nga Partia Demokratike.
Ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ishte planifikuar të shqyrtohej më datë 9 shkurt, por nuk ndodhi kështu. Në të gjitha mediat pak javë më parë u shpërnda lajmi, por ligji është shtyrë për në datën 8 mars. Pra shqyrtimi i një prej ligjeve më të rëndësishme të reformës do të bëhet pikërisht kur pritet të nisë puna për ngritjen e organeve të reja dhe vendimi pritet të merret kur të nisë realisht të japë efektet reforma në drejtësi. Mësohet se po në të njëjtën periudhë do shqyrtohet dhe ligji i ankimuar nga PD.
Pra edhe pse ankimimet kanë muaj që janë bërë, pritet që puna për ligjet të nisë pikërisht në momentin më delikat të reformës. Nëse Kushtetuesja merr një vendim pro PD, atëherë rrëzon gjithë reformën dhe ngrin çdo lloj procesi sa i takon organeve të reja. Nëse ligji shfuqizohet, KLGJ, KLP e KED nuk mund të funksionojnë dhe pa to reforma nuk ka asnjë vlerë sepse ato janë qeveria e drejtësisë.
Lëvizjet e prokurorisë
Teksa gjyqtarët po kujdesen për të ndikuar sadopak në vonesën e organeve të reja, edhe prokuroria nuk po bën sehir. Ditët e fundit, Adriatik Llalla është vënë në qendër të vëmendjes, sidomos sa i takon hetimeve për Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
Ambasadori amerikan e akuzoi se tentoi të sekuestronte serverin e ILDKP, ku janë të dhënat e gjithë gjyqtarëve e prokurorëve, por ishin gjykatat ato që e ndaluan. Megjithatë interesant është fakti se Llalla nuk ka ndërmend që të tërhiqet. Gazeta u interesua pranë Prokurorisë së Tiranës dhe interesant është fakti se hetimet ndaj ILDKP dhe kreut të saj, Shkëlqim Ganaj, janë duke vijuar.
Madje ato janë intensifikuar. Llalla e akuzon Ganajn për shpërdorim detyre, sepse nuk bëri asnjë kallëzim për konflikt interesi për deputetët Valentina Leskaj e Rakip Suli dhe ish-deputetin Koço Kokëdhima. Por interesant është fakti se edhe pse në të tre shkallët e gjyqësorit Llallës iu ndalua të merrte materialet origjinale të dokumenteve, regjistrave dhe serverin, prokuroria nuk i ka pushuar hetimet.