Një aeroplan ushtarak, tip SU-25 i forcave ajrore të Ukrainës është qëlluar ditën e sotme, teksa ky i fundit po kryente misionin e tij në Luhansk, ndërsa piloti ka arritur të dalë nga aeroplani dhe të shpëtojë.

Lajmi konfirmohet nga zëdhënësi i sigurisë kombëtare të Ukrainës Andriy Lysenko, i cili akuzoi Rusinë se është përgjegjëse për sulmin në fjalë. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Mbrojtjes ruse të cilat i cilësuan si absurde akuzat për rrëzimin e avionit ushtarak ukrainas.

Ndërkaq rebelët rusë përmes një komunikate kanë pranuar sulmin ndaj avionit ushtarak ukrainas.

Lidhur me këtë sulm, Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko urdhëroi ministrin e mbrojtjes që të marrë masa për të vërtetuar nëse vërtetë avioni është qëlluar nga forcat ushtarake ruse, pasi fluturimi i tij në momentin e goditjes ishte shumë pranë kufirit rus.

Kjo nuk është hera e parë e një incidenti të tillë, ku Ukraina ka akuzuar Rusinë për sulme ndaj forcave ushtarake vendase. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)