gra te heshturaTeatri i Metropolit sjell më 5 maj premierën e dytë për këtë sezon. "Qiell i heshtur" është komedia e frymëzuar nga jeta e astronomes Henrieta Laevitt, një nga astronomet e para në Harvard. Një grua e re dhe pasionante, së cilës i duhet të përballet me një shoqëri të pamësuar me gra të forta, në një botë të dominuar nga burrat.

Këmbëngulja, energjia, pasioni dhe vizioni e bëjnë një vajzë të brishtë nga Bostoni të ndjekë ëndrrën e saj. Jeta mahnitëse e astronomes Henrieta Laevitt, një nga të parat në Harvardin e 1900-ës dhe grave të tjera që realizuan hartën e yjeve në univers, vjen për herë të parë premierë në Shqipëri.

Regjisorja Armela Demaj sjell "Qiell i heshtur", një komedi romantike, gjysmë biografike e shkruar nga Loren Gunderson më 5 maj 2016, në Teatrin e Metropolit.

Kjo shfaqje është edhe premiera e dytë e këtij teatri për këtë sezon, pas shfaqjes "Rashomon", me regji të Jonida Beqos, aktualisht drejtore e Teatrit të Metropolit, e cila në këtë shfaqje vjen edhe si aktore. "Qiell i heshtur" është një ndodhi njerëzore, që i flet shoqërisë, dje dhe sot. Një vepër, e cila flet për marrëdhëniet familjare, besimin në fuqinë e mendjes dhe shpirtit, mbështetjen dhe solidaritetin, këmbënguljen për të kërkuar dritë në thellësitë e pandriçuara dhe mënyra shprehëse të reja me qëllim një pamje më të qartë dhe kontribut në begatinë e njeriut.

Kjo premierë vjen si një vlerësim për kontributin e këtyre grave që bënë histori në botë.

Ngjarja zhvillohet kryesisht në Observatorin e Harvardit dhe skena dominohet nga prania e yjeve, pasionit të njerëzve që e duan punën dhe dashurinë.

Në role interpretojnë aktorë si Nigela Ruka, Sonila Kapedani, Redjan Mulla, Jonida Beqo e Veriana Abazaj.

Henrieta Laevitt, figura femërore që ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në botën astronomike, studimet e së cilës kanë shërbyer për vazhdim të eksplorimeve nga shkencëtarë të tjerë, vjen në skenë nga aktorja Nigela Ruka.

Margarita, është motra e Henrietës, një vajzë e devotshme, që jeton sipas rregullave të komunitetit dhe kujdeset për pjesëtarët e familjes ndërkohë, që nuk lë pianon dhe kompozimet pas dore, vjen në skenë nga Sonila Kapidani.

Dy figura të tjera, mjaft me rëndësi në botën e shkencës, Eni Kanon dhe Amina Fleming, që sjellin dy përvoja të tjera jetësore po aq këmbëngulëse dhe po aq luftarake në mënyrat e tyre, vijnë në skenë nga Jonida Beqo dhe Verjana Abazaj.

"Vajta mora pjesë në audicion. Jam mirënjohëse që m'u dha mundësia"- thotë Jonida Beqo.

Ndërsa Piter Shoo, një personazh romantik i trilluar nga autorja, që e ka rehatinë e një terreni të gatshëm ku mund të punojë dhe një kornizë të përgatitur nga prindërit në të cilën do të jetojë, por që bie në dashuri me Henrietën, interpretohet nga Redjan Mulla.

Përzgjedhjet e tilla në teatër janë bërë për të minimizuar buxhetet e pakta.

Nga 11 pjesëmarrës në audicion janë përzgjedhur 5 . "Sigurisht që ajo e ul disi koston. Tregohem pak egoiste në rastin konkret, por për mua qëllim primar është cilësia" -thotë regjisorja Demaj.

Henrieta Laevitt është një nga astronomet e para gra në Harvard në vitet 1900-1924. Ajo, së bashku me dy gra të tjera, po bëjnë për herë të parë hartën e yjeve në univers; punojnë për të identifikuar dhe kataloguar yjet.

"Për mua është nder dhe përgjegjësi shumë e madhe, që të mishëroj këto personazhe, të cilat kanë qenë gur i rëndësishëm në historinë e zhvillimit botëror. Është nder, pasi janë pikërisht personazhet, të cilat nuk janë falënderuar dhe nuk kanë marrë meritë", shpjegon regjisorja Armela Demaj. Gjithashtu, trajtimi nga ana stilistike e veprës, është mbajtur në një trajtim minimal duke ruajtur tiparet e kohës por nëpërmjet një interpretimi realist. Muzika është e gjallë në pjesën më të madhe të shfaqjes e interpretuar në skenë. Kostumet, gjithashtu të punuara nga Ina Elezi janë të epokës. Ndërkohë, efektet vizuale janë realizuar nga Elian Stefa.

"Qiell i heshtur" është historia e njerëzve, të cilëve pasioni i çon përtej limiteve që shoqëria iu vë. Dhe vetëm duke thyer këto barriera njeriu arrin të zhvillohet, të bëj kapërcime politike, që nuk janë vetëm vlerë individuale por edhe botërore. Këto gra punonin në Universitetin e Harvardit në Observatorin e Studimeve Hapësinore, pasioni për të ditur dhe për të arritur më shumë, i bëri që të hynin në histori për zbulimet e tyre. Ishin ato që sollën ndryshime rrënjësore në sistemin e të menduarit në shoqërinë botërore, dhe kjo ndodhi duke sakrifikuar marrëdhënie familjare, marrëdhënie sentimentale, pasi diçka më e madhe se ato i tërhiqte drejt epokës së re", thotë regjisorja Armela Demaj. Sipas saj, vepra është e ndërtuar në formën e një komedie romantike, por ka përplasje shumë të mëdha midis shkencës, jetës, galaktikës përtej nesh dhe njëkohësisht galaktikës brenda nesh.

Henrieta, lufton kundër stereotipave për aftësitë dhe kontributet e grave në fushën e shkencës.

"Ndërlidhja e dashamirësia që ne duhet të kemi, për t'i dhënë dorën njëri-tjetrit, për ta ndihmuar në momente vështirësie, për ta duartrokitur në momente triumfi është ajo çka trajtohet në këtë vepër dhe shoqëria ndjen nevojën që t'i ketë", thotë regjisorja. Puna e saj vuri themelin astronomik të matjes së distancës së dritës në univers dhe provoi se universi nuk ishte thjesht galaktika Udha e Qumështit, siç supozohej deri në atë kohë.