Grupi i hacker-ave "Anonymous" bën të ditur se gjatë një sulmi kibernetik mbi websiten e ministrisë së Jashtme greke, ka vjedhur mijëra dokumenta shtetërore të rëndësisë së veçantë. 

Sipas njoftimit që vetë organizata bëri në faqen e saj, janë mbi 3700 dokumente sekrete të vjedhura nga drejtoria e vendeve të Evropës Juglindore dhe OSBE-së në Ministrinë e Jashtme. 

"Ne të gjithë e dimë se sa e keqe është gjendja sot në Greqi, ku së bashku me rrëmujën financiare, qeveria lejoi nazistët e Agimi të Artë të sabotojnë integritetin e gjithë vendit", thonë “Anonymous” në njoftimin e tyre. Sipas njoftimit, dokumentat do të shërbejnë për të zbuluar lidhjet apo përfshirjen e qeverisë greke në spiunazh, në dëm të vendit. 

Vjedhjen e dokumenteve e ka konfirmuar edhe ministria e Jashtme greke në websiten e saj, ku ka sqaruar se bëhet fjalë për dokumenta pa ndonjë rëndësi të madhe. 

(Balkanweb)