Grupet shoqërore, më mirë të themi grupet partiake janë bërë alfa dhe omega në Kosovë. Edhe në Qeveri ashtu edhe në Parlament si institucioni më i lartë i shtetit, janë sistemuar mirë grupazhet e partive politike, si grupe të interesit. Grupimet e PDK-së dhe LDK-së po e përbëjnë edhe pushtetin, duke marrë edhe vendime të rëndësishme politike për vendin. Duke i mbrojtur interesat e veta, po i shkaktojnë dëm vendit dhe institucioneve të shtetit. Këto grupime janë ngritur mbi partitë politike të cilat i përfaqësojnë. Njerëzit e këtyre grupazheve politike janë bërë lojtarët kryesorë të skenës tonë politike. Këto grupazhe bëhen të ashpra kur dikush ua rrezikon pushtetin. Grupazhet politike janë bashkuar për kauzën e mbetjes sa më gjatë në pushtet. Këto grupazhe politike jo vetëm që janë të rrezikshme për çdo shoqëri demokratike, por këto janë të rrezikshme për demokracinë e brendshme të subjektit politik nga i cili vijnë. Këto grupime politike janë do miq të kahmotshëm apo që i lidh edhe pikëpamja ideologjike, dhe e kanë besimin e ndërsjellë. Këto grupe "autoritare" në Parlament dhe ne Qeveri gjithmonë bahen të zëshme se vetëm ata gjoja i ruajnë vlerat kombëtare. Grupet veprojnë në emër të subjektit të tyre politik dhe në emër të institucioneve të shtetit, duke i lënë anash gati krejt strukturat partiake dhe strukturat shtetërore. Mirë e shfrytëzojnë të kaluarën tonë traumatike për pushtet absolut. Unë edhe më parë e kam potencuar se këto grupazhe politike duhet të shpartallohen, sepse janë ngritur tashmë mbi shtetin dhe janë ngritur mbi interesat nacionale. Këto grupazhe politike po veprojnë krejt pas luftës, dhe pikërisht këto grupazhe edhe po i lidhin koalicionet, pa e pyetur shumë elektoratin e gjerë. Grupet e interesit janë bërë të fuqishme, sepse shumica e kapitalit ka rënë në duart e tyre. Nuk është e vogël periudha që kur këto po dirigjojnë më mbarë sistemin dhe po dirigjojnë edhe me fatin e vendit. Këto grupazhe kanë bërë që të kemi këtë shkallë të lartë të krimit dhe korrupsionit për çka flasin edhe raportet e Freedom House. Raporti i fundit e rendit Kosovën në vendin e fundit në rajon për nivel të korrupsionit. Deri më tash askush ose pak kush është përgjigjur para organeve tona të drejtësisë për korrupsion. Kjo frymë autoritare ka bërë që mos të kemi as investime dhe as investitor të jashtëm. Gjithçka që punohet dhe veprohet po bëhen në emër të shtetit. Mosngritja apo kundërvënia brenda partive politike grupeve të caktuara politike, është shumë e dëmshme për subjektin dhe pastaj sigurisht është e dëmshme për mbarë shoqërinë. Kur të gjithë të tjerët edhe shoqëria bëhet instrument i një politike të tillë profitereske, edhe ndryshimet pozitive vijnë shumë ngadalë apo stopohen. Këto grupe nuk e dëshirojnë dialogun e barabartë, por punën "të gjithë për një" dhe me parullën e rreme "në emër të popullit dhe në emër të shtetit". Dëgjueshmëria karshi këtyre njerëzve autoritarë është e dëmshme dhe e rrezikshme për secilin popull. Edhe faza e tranzicionit bëhet shumë e vështirë. Duhet gjetur forma dhe mënyra e kreativitetit politik, për t'i rrënuar grupazhet e interesit. Ky sistem të cilin po e ndërtojnë këto grupe janë futja e frikës dhe dhunës karshi të gjithë atyre të cilët nuk u nënshtrohen urdhrave të tyre. Të gjithë do të duhej të marrim përgjegjësi politike, nëse dëshirohet të gjendet rruga e prosperitetit, zhvillimit të gjithëmbarshëm dhe të gjendet rruga e mirëqenies shoqërore. Mos përmbushja e detyrimeve dhe obligimeve nacionale dhe shtetërore, është kapitullim para të keqes...