Mbërrin në Shqipëri grupi i dytë i muxhahidinëve iranianë. Ministria e Brendshme në një komunikatë për mediat bën me dije se të premten në orën 24.00, mbërriti në Rinas grupi i dytë i muxhahidinëve prej 30 personash nga kampi Ashraf i Irakut, në vijim të zbatimit të marrëveshjes për strehimin në Shqipëri të 210 muxhahedinëve, e cila është një përgjigje e qeverisë shqiptare ndaj kërkesës së qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.


Qeveria shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Brendshme ka marrë të gjitha masat për akomodimin dhe qëndrimin e sigurt të këtyre personave në Qendrën e Pritjes së Azilkërkuesve në Shqipëri.


Ndërkohë, grupi i pare prej 14 personash i ardhur me datë 6 Maj po përshtatet dhe kanë filluar tashmë kurset për mësimin e gjuhës shqipe. Ardhja e grupit të dytë konfirmon zbatimin e këtij programi për strehimin e këtyre personave, të cilët gëzojnë statusin e refugjatit. Ata vijnë në Shqipëri nëpërmjet UNHCR, në përgjigje të kërkesës së qeverisë së SHBA, e cila ka në mbikëqyrje kampin Ashraf në Irak.


Në bazë të marrëveshjes së arritur, do të vijojë mbërritja e refugjatëve të tjerë në ditët e ardhshme, pjesë e grupit prej 210 personave, që Qeveria Shqiptare ka vendosur t’i pranojë në territorin e Republikës së Shqipërisë.


Qeveria ka marrë përsipër sigurimin e një qëndrimi afatgjatë të tyre në vendin tonë, trajtimin sipas të gjitha standardeve të parashikuara nga e drejta ndërkombëtare dhe konventat e njohura nga Republika e Shqipërisë.