Real Madrid, Manchester City, Ajax Amsterdam dhe Borussia Dortmund, katër skuadra kampione nga La Liga, Premierliga, Eredivisie, përkatësisht Bundesliga do të ndeshen në Grupin D të Ligës së Kampionëve. Kampioni në fuqi i Evropës, Chelsea në Grupin E do të përballet me Shakhtar Donetskun, Juventusin dhe Nordsjaelland. Kurse, Barcelona, Milan, Bayern Munich dhe Manchester United do të kenë punë më të lehtë në grupet përkatëse.

Nëntë herë kampioni i Evropës, Real Madrid do të takohet me kampionin e Premierligës, Manchester City në fazën e grupeve të edicionit të ri në Ligën e Kampionëve. Gjiganti i Premierligës dhe ai i La Ligës në grupin D do të kenë për kundërshtarë edhe Ajaxin e Amsterdamit dhe Borussia Dortmundin.

Për të arsyetuar se ky është grupi më i fortë se shtatë të tjerët vlen fakti se secila prej këtyre skuadrave është kampione në ligën përkatëse. Kampioni në fuqi i Ligës së Kampionëve, Chelsea e fillon mbrojtjen e titullit në Grupin E kundër kampionit të Italisë, Juventus, Shakhtar Donetskut dhe danezët e Nordsjaelland.

Barcelona do të garojë në Grupin G së bashku me Benfican, Spartak Moskën dhe Celticun. Manchester United për kundërshtarë do të ketë Galatasarayn, Bragan dhe Clujin, kurse Arsenali do të përballet me Schalke 04, Olympiakos dhe Montpellier në Grupin B. Milani ka një grup relativisht të lehtë.

Rossonerët janë në Grupin C, ku do të kenë punë me Zenit St Petersburg, Anderlechtin dhe Malagan. Grupi A përbëhet nga Porto, Dynamo Kiev, Paris Saint-Germain dhe Dinamo Zagreb, skuadër ku aktivizohen dyshja kosovare Fatos Beqiraj dhe Arian Ademi.

Bayern Munich, ekipi i mesfushorit të talentuar kosovar Xherdan Shaqiri, është tërhequr në Grupin F, ku do të përballet me Valencian, Lillen dhe BATE Borisovin. Faza e grupeve do të fillojë më 18-19 dhe mbarojë më 4-5 dhjetor. Kurse, finalja do të zhvillohet në Wembley më 25 maj 2013.

Grupi A

Porto

Dynamo Kiev

PSG

Dinamo Zagreb

Grupi B

Arsenal

Schalke 04

Olympiacos

Montpellier

Grupi C

Milan

Zenit St Petersburg

Anderlecht

Malaga

Grupi D

Real Madrid

Man City

Ajax

Dortmund

Grupi E

Chelsea

Shakhtar Donetsk

Juventus

Nordsjaeland

Grupi F

Bayern Munich

Valencia

Lille

BATE

Grupi G

Barcelona

Benfica

Spartak Moska

Celtic

Grupi H

Man Utd

Braga

Galatasaray

Cluj