guardiolaBayerni i tij dështoi për të dytin vit radhazi të kualifikohej në finale të Championsit, por të paktën ndaj Barçës arriti të të merrte një fitore krenarie në "Allianz Arena".

Në fund të ndeshjes Pep Guardiola thurri elozhe për ish-skuadrën e tij, duke uruar që formacioni i Luis Enriques të fitojë Championsin.

"U eliminuam nga skuadra më e mirë. Tani shpresoj që Barca të fitojë Championsin e pestë në histori, sepse e meriton. Gjithsesi dua të përgëzoj lojtarët e mi, jam krenar për ta pavarësisht se nuk arritëm në finale".

Bayerni e mbylli këtë sezon futbollistik me vetëm një trofe, titullin e Bundesligës, por Guardiola këmbëngul se skuadra e tij bëri gjithcka mundi.

"Sezonin e kaluar fituam 4 trofe, ndërsa këtë vit vetëm 1. Sigurisht nëse të ndodhin probleme të panumërta gjatë gjithë kohës është e pamundur të bësh më shumë. Tani dëshirojmë që të festojmë titullin në Bundesligë dhe të nisim të mendojmë për sezonin e ardhshëm, duke mësuar nga ajo që na ndodhi."

Nuk mund të mungonin elozhet e Pep për Lionel Messin, autor i dy golave ndaj Bayernit në "Camp Nou".

"Messi është më i miri i të gjitha kohërave. Po kalon formën e tij më të mirë dhe shpresoj ta shikojmë për shumë vite në këto nivele. Në fakt Barcelona e gjitha po kalon një formë të shkëlqyer. Po tregohen të zotë edhe në prapavijë. Gerard Pique është kthyer ai i dikurshmi, Mascherano është një garanci, ndërsa Dani Alvesin e kam parë shumë të motivuar, teknik dhe shumë të shpejtë".

Guardiola vlerësoi gjithashtu edhe punën e Luis Enriques, të cilin dëshiron ta shohë për shumë vite në krye të Barcës./SuperSport