Presidenti Topi dhe homologu Gyl gjatë konferencës për shtyp


Presidenti Bamir Topi nis vizitën treditore në Turqi, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe një delegacion zyrtar. Fillimisht, kreu i shtetit bëri homazhe në Mauzoleun e Ataturkut, ku vendosi një kurorë në shenjë respekti dhe nënshkroi Librin e Nderit. Më pas ai u prit nga homologu i tij turk, Abdullah Gyl, ku fillimisht pati një bisedë kokë më kokë dhe më pas mes dy delegacioneve. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Presidenti turk u shpreh se mes dy vendeve ka marrëdhënie ushtarake, politike dhe humane me spektër të gjerë. Ai e cilësoi Shqipërinë si aleaten e Turqisë në Ballkan. Bashkë me mikun tim President, qoftë në takimin kokë më kokë, qoftë në atë midis dy delegacioneve, konfirmuam vendosmërinë për të rritur dhe për të shtuar këtë bashkëpunim dhe shpreha vullnetin dhe dëshirën për të dhënë mbështetjen tonë teknike në çdo fushë. Kemi marrëdhënie të vazhdueshme politike dhe në të gjitha fushat do ta shtrijmë këtë nivel. Është aleati ynë në Ballkan dhe vazhdon bashkëpunimi në këtë kontekst për ta shtrirë këtë stabilitet dhe paqe në të gjithë Ballkanin. Është vizioni i Turqisë që Shqipëria të integrohet në institucionet euroatlantike dhe mbështet e përkrah fuqishëm edhe prirjen, aspiratën europiane të Shqipërisë, tha Gyl. Sipas tij, qasjet e dy vendeve janë të njëjta edhe sa u përket çështjeve ndërkombëtare.

Nga ana e tij, Presidenti Topi u shpreh se Turqia është partnere e rëndësishme e vendit tonë teksa vlerësoi kontributin e këtij vendi për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. “Edhe për ne Turqia është një partnere e rëndësishme strategjike në rajonin ballkanik, por edhe me gjerë. Së bashku kemi ndërtuar marrëdhënie të tilla mbi bazën e një themeli historik, por, nga ana tjetër, kemi ndërtuar edhe marrëdhënie moderne. E kam shumë të freskët kujtimin kur në nëntorin e vitit 2008, Presidenti Gyl nënshkroi përpara meje protokollin që i jepte mbështetjen Shqipërisë për t’u bërë pjesë e aleancës më të madhe të paqes dhe të sigurisë në botë, pra të NATO-s”, u shpreh Topi. Sipas tij, pjesë e bisedës me homologun Gyl ishte intensifikimi i marrëdhënieve ekonomike, pavarësisht faktit se ato janë rritur ndjeshëm ditët e fundit. Presidenti shqiptar u ndal edhe te çështja e Kosovës. “Ne jemi i jemi shumë mirënjohës Turqisë për mbështetjen e veçantë që ka bërë për njohjen e Kosovës. Kosova sot është një vend i cili afron jo destabilitet, por afron stabilitet në rajonin ballkanik falë një politike të ekuilibruar të institucioneve të Kosovës”, theksoi Topi.


135 milione euro

Sipas Presidentit Gyl, marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve kapin shifrën e 135 milionë eurove. Kohë më parë, Shqipëria dhe Turqia nënshkruan Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë, e cila rriti investimet dhe shkëmbimet tregtare


Presidenti Gyl

Me Shqipërinë, në kuadër të bashkëpunimit në NATO, kemi një marrëdhënie aleate shembullore dhe shembulli më konkret i kësaj është bashkëpunimi në Afganistan, pasi ushtarakët shqiptarë janë së bashku me ata turq. Përveç kësaj, kemi dy universitete turke që janë aktive dhe që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri, u shpreh Presidenti turk në konferencën e përbashkët për shtyp.


ADI SHKEMBI