Presidenti i Turqisë, Abdulla Gyl, i bëri të ditur Presidentit shqiptar, Bamir Topi, se do të vizitojë Shqipërinë në datat 9 dhe 10 dhjetor. Ky konfirmim i është bërë kreut të shtetit në një bisedë telefonike që ai ka zhvilluar dje me homologun turk. Zyra e shtypit të Presidencës bën të ditur se Presidenti Topi ka zhvilluar bisedën telefonike me Presidentin turk Gyl ku është interesuar për situatën në Turqi, duke shprehur edhe një herë keqardhjen për viktimat dhe të zhdukurit nga përmbytjet e fundit në Stamboll. Gjatë kësaj bisede, të dy homologët vlerësuan lart marrëdhëniet e shkëlqyera dhe vëllazërore që ekzistojnë mes dy vendeve tona në të gjitha fushat. Ata kanë diskutuar edhe për situatën në rajonin ballkanik, si dhe për përmbushjen e aspiratave integruese të dy popujve për në Bashkimin Europian. Presidenti Topi e ka uruar Presidentin e Turqisë, Abdullah Gyl, dhe nëpërmjet tij, i përcolli mbarë popullit mik turk urimet më të mira e të përzemërta për muajin e Madhërishëm të Ramazanit. Kreu i shtetit, në deklaratat e tij, ka vlerësuar gjithmonë marrëshëniet e mira që vendi ynë ka me shtetin turk. Gjatë takimit më ambasadorin e Turqisë në vendin tonë, Presidenti Topi ka vlerësuar përkrahjen dhe ndihmën e madhe që Turqia i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë procesit drejt anëtarësimit të plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.