Dy burgime të përjetshme dhe 177 vjet të tjera burg ishte vendimi i Krimeve të Rënda për “Hakmarrjen për Drejtësi”. 

Fatos Mahmutaj

Togat e zeza, pas 12 vitesh proces gjyqësor shpallën dje verdiktin duke iu dhënë dënime kapitale, dy të cilësuarve si krerë të organizatës, Orik Shyti dhe Kreshnik Spahiu.     Kurse Gentian Caka e Roland Shyti u dënuan me 25 vjet heqje lirie; Leart Shyti, Nikolin Novruzaj e Kreshnik Spahiu  u dënuan me 24 vjet burg, Dritan Hate u dënua me 23 vjet burg, Pasho Norvuzaj 22 vjet burg dhe Gëzim Gjoni u dënua me dhjetë vjet burg. Veç Gëzim Gjonit dhe Dritan Hates që kanë fituar lirinë për shkak të skadimit të afateve të paraburgimit, vendimi për tetë të pandehurit e tjerë u shpall në mungesë. Gjatë leximit të vendimit kryesuesja e trupit gjykues, pohoi se togat e zeza i kishin gjetur fajtorë 10 të pandehurit, për kryerjen e 8 vrasjeve, 17 plagosje dhe 13 vjedhje, si dhe falsifikim dokumentesh dhe mbajtje pa leje të armëve. Sipas gjykatës këto krime janë kryer gjatë viteve 1993–1996, në kuadër të organizatës kriminale. Nga krimet më të rënda për të cilët të akuzuarit morën dënimet kapitale ishin: vrasja e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Bujar Kaloshi, vendosjes e bombës te ish-supermarketi “VEFA”, pengmarrja e 10-vjeçarit Erion Nushi, për lirimin e të cilit u kërkua një shumë marramendëse të hollash, si dhe disa grabitje bankash në shuma qindra milionë lekë. Dënimi i djeshëm për “Hakmarrjen për Drejtësi”, erdhi plot 12 vjet pas arrestimeve të bujshme të tetorit 1996, kur u arrestuan rreth 200 persona si të implikuar në organizatën më të rrezikshme kriminale pas viteve ’90. Hapja e burgjeve në 1997 u dha lirinë të gjithëve, ndërsa me këmbënguljen e familjarëve të të pandehurve Prokuroria u detyrua të mbyllte hetimet në fund të vitit 1998 dhe të dërgonte çështjen për gjykim. Pas plot pesë vjetësh, Prokuroria e Tiranës kërkoi në gjykatë tërheqjen e dosjes për plotësim hetimesh, kërkesë e cila u rrëzua nga trupi gjykues, duke vendosur pushimin e akuzës për të pandehurit. Pas kësaj Prokuroria u ankua në Apel, ku u vendos rikthimi i dosjes në Shkallë të Parë dhe më pas kalimi i akteve në Prokurori. Pas kësaj për një vit me radhë u ribënë hetimet dhe dosja u dorëzua te Krimet e Rënda, pasi akuzat ndaj të pandehurve tashmë përfshiheshin në kompetencat e këtij institucioni. Gjatë kësaj kohe një ngjarje tjetër do e risillte çështjen “Hakmarrja” në qendër të vëmendjes. Në fund të shtatorit 2003, në qendër të kryeqytetit ekzekutohet me plumb në zemër shoferi i familjes së ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku, ndërsa udhëtonin në makinë me të bashkëshortja dhe vajza e tij. Për këtë u dënua përjetë nga Krimet e Rënda, Altin Arapi, një prej të pandehurve kryesorë të “Hakmarrjes” dhe i pari nga të akuzuarit që përfitoi azil politik jashtë vendit, përkatësisht në Belgjikë.

“Hakmarrja”

Orik Shyti, azil në Zvicër, burg të përjetshëm
Altin Arapi, azil në Belgjikë, burg të përjetshëm
Gentian Caka, në mungesë, 25 vjet burg
Roland Shyti, në mungesë, 25 vjet burg
Nikolin Novruzi, azil në Holandë, 24 vjet burg
Leart Shyti, në mungesë, 24 vjet burg
Kreshnik Spahiu, azil në Zvicër, 24 vjet burg
Pasho Novruzaj, azil në Holandë, 22 vjet burg
Dritan Hate, i lirë, 23 vjet burg
Gëzim Gjoni, i lirë, 10 vjet burg