Halili dhe HajriaBaleti i parë shqiptar Halili dhe Hajria u rikthye sot, në mbrëmje në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. E cilësuar si një nga veprat më të mira, dhe  më të rëndësishme për historinë e këtij institucioni, baleti rikthehet për dy netë në TKOB. Skena betejash masive, fitoresh, rrëmbime vashash, malësorë me mustaqe një pëllëmbë e qeleshe të bardha, turq çallmazinj dhe hareme sulltanësh, kanë ardhur për publikun mes interpretimit të balerinëve të TKOB. Nën interpretimin e Enada Hoxhës dhe balerinit të ri, Mario Thanasi, vepra me koreografinë origjinale të mjeshtrit Panajot Kanaçi ishte përpunuar nga Arjan Sukniqi, ndërsa dirigjimi iu besua Edmond Dokos.


Hajria, e interpretuar nga Enada Hoxha, sillte mjaft natyrshëm figurën e vajzës shqiptare, të motrës dhe të nënës, ndjenjën mëmësore për foshnjën dhe përplasjen shpirtërore që ndodhte brenda qënies së saj. Të vriste ose jo foshnjën, gjakun e saj, fryt i martesës me një tradhtar, ishte dilema, e cila e mundonte Hajrien, e cila nuk na paraqitet si një burrneshë, por si një grua, që nuk di çanë të mbajë. Në rolet të tjera interpretojnë, Halil Gerria: Mario Thanasi; Rushja: Elona Nallbani, Erisa Gina; Sokoli: Ervis Nallbani, Klevis Tafaj; Musta: Endri Shkoza;Shpendo Plaku: Besmir Aga; Selimi: Dion Gjinika; Bektash Aga: Gerd Vaso, Sokol Zhugri; Sulejman Pasha:Llaqi Nako; Tahir Beu: Kujtim Hoxha. Publiku e priti me shumë emocione shfaqjen dhe u vlerësua shumë trupa, solistët dhe spektakli që u krijua në këtë balet. Kjo është vepra e parë shqiptare nacionale, e cila vuri bazat profesionale të baletit kombëtar. Baleti do te shfaqet për publiku edhe mbrëmjen e nesërme, ora 19:00.


Halili dhe Hajria, baleti 50 vjeçar


Halili dhe Hajria është një vepër baleti tërësisht shqiptare, e para në skenën e baletit shqiptar. Subjekti është mbështetur në dramën me të njëjtin emër të Kol Jakovës dhe pak a shumë tregon për qëndresën e malësoreve kundër shtypjes otomane në Shqipëri. Ishte 13 janari i vitit 1963, kur kompozitori Tish Daija, baletmaestri Panajot Kanaçi, dirigjenti Mustafa Krantja e një suitë e tërë artistësh, vunë në skenë baletin Halili dhe Hajria. Interpretuesit e parë në rolin e Halilit, kanë qenë Xhemil Simixhi, Kristaq Rada dhe Llaqi Nako dhe në rolin e Hajries: Ganimet Vendresha (Simixhi ) Zoica Haxho, ndërsa në rolet e tjera përmenden emrat e Luan Shtinos, Miltiadh Papës, Agron Aliajt, Skënder Jazexhiut, etj. Në vitin 1983, kjo vepër rivihet në skenë. Krahas emrit të Llaqi Nakos, në rolin e Halilit, radhitet edhe ai i Ilir Kernit, ndërsa në rolet e tjera Albana Sulejmani, Pëllumb Agalliu, Hajdar Shtuni, Ludmill Çakalli, etj. Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit dhe jashtë saj kjo vepër është luajtur mbi 250 herë. Në turnetë në Greqi, Itali, Turqi, Francë ka pasur sukses të padiskutueshëm. Në Francë është vënë në skenë nga një trupë franceze, më pas edhe në Prishtinë.