Jonida Tashi



Helmimi masiv i 300 banorëve në qytetin e Ballshit ka ndodhur për shkak të ujit të pijshëm, i cili ka qenë i ndotur nga ujërat e zeza. Analizat përfundimtare të Institutit të Shëndetit Publik kanë vërtetuar se nga mostrat e ujit, të marra në pikat fundore të rrjetit të Ujësjellësit të Ballshit është gjetur bakteri E.Coli, i cili gjendet në ujërat e zeza. Sipas drejtorit të Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, shkak është bërë sasia e ulët e klorit në rrjetin e ujësjellësit, në kundërshtim me udhëzimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Analizat

“Edhe pse hetimi epidemiologjik vazhdon, situata dëshmon qartë se burimi infeksionit ka qenë uji i pijshëm, i cili në disa pika ka rezultuar me klor mbetës më pak se norma dhe gjithashtu është izoluar E.Coli dhe një eneterovitus i përcaktuar si noraviruz që jeton në zorrën e trashë të njeriut. Ekipi që heton gjendjen nuk ka identifikuar ende portën hyrëse, apo vendin ku janë kryqëzuar ujërat e zeza me ujin e pijshëm. Nga ekzaminimet e deritanishme përjashtohen infeksionet nga shigeloza (dizenteri), salmonelat madhore (tifos) dhe vazhdon investigimi për salmonela minore, ndërkohë që E.Coli dhe enteroviruzi janë konfirmuar”, - ka deklaruar dje, infeksionisti Pipero. Infeksioni që preku masivisht banorët e qytetit të Ballshit dhe disa fshatra përreth tij erdhi si rezultat i kryqëzimit të ujërave të bardha me ato të zeza, të cilat sollën çrregullime në aparatin tretës, duke shkaktuar gastroenterite, siç quhet sëmundja në gjuhën mjekësore. Sipas Piperos, nga mostrat e ujit që u analizuan, është vënë re se sasia e klorit në rrjet ishte 0.2 mg në raport me 0.5-0.6 që është norma e OBSH-së. Për të parandaluar ngjarje të tilla dhe në rrethe të tjera të vendit, Ministria e Shëndetësisë do të nxjerrë sot një udhëzim të ri, “Për shtimin e dozës së klorit në rrjetin e ujësjellësit”, duke qenë se gjendemi në prag të afrimit të sezonit të verës, ku rreziku për epidemi të tilla është i madh.

Situata

Situata emergjente e ndodhur për shkak të shpërthimit të infeksionit gastrointestinal në qytetin e Ballshit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, tashmë është kapërcyer. Ashtu siç ndodh në situata të ngjashme epidemiologjike, shpërthimi epidemik edhe pse i kufizuar vetëm në qytetin e Ballshit dhe në dy-tri fshatra përreth tij pati një ecuri normale, e cila kulmin e saj e pati me shpërthimin e para tri ditëve. Drejtori i Përgjithshëm i Politikave Shëndetësore, Pëllumb Pipero, ka konfirmuar dje se numri i rasteve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjatë ditës së shkuar është i kufizuar. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për raste të reja, por raste të ngelizhuara, që nuk janë paraqitur në kohën e duhur në spital. Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë, i bën thirrje popullatës të mos ndërhyjë në ujësjellës pa lejen e organeve kompetente. Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë, i bën thirrje popullatës, që të jetë e kujdesshme me depozitimin e plehrave në vendin e caktuar dhe gjatë orëve të natës. Mbrëmjen e së hënës, në spitalin e qytetit të Ballshit, u paraqitën qindra banorë, të cilët shfaqën probleme me shëndetin. Numri i tyre u rrit një ditë më pas duke e çuar atë në 237 të prekur. Një ditë më pas, pikërisht dje, ky numër u rrit edhe më shumë duke kapur shifrën e 300 personave të prekur nga helmimi epidemik. Sipas të dhënave më të fundit, zyrtarisht thuhet se shpërthimi epidemik ka përfunduar dhe rastet aktuale që paraqiten në spital janë sporadike.





Sistemi shëndetësor, Vasili: “Duhen infermierë të kualifikuar”



Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka ripërsëritur dje se sistemit shëndetësor i duhen infermierë të kualifikuar. I pranishëm në konferencën e dytë kombëtare të infermierëve, që u zhvillua dje, ministri Vasili, u shpreh se krahas zhvillimit profesional të mjekëve, duhet të ecin dhe infermierët, pasi vetëm kështu mund të ketë një efektivitet në sistemin shëndetësor. “Nuk mund të ketë infermierë, mjekë të kualifikuar që i provojnë dijet e tyre, të cilët ecin në profesionin e tyre dhe infermierë që mbeten pas. Pra, ose të dyja këto profesione ecin në sinkrone paralele, ose në rast të kundërt, sistemi zhbalancohet dhe pasojat i vuajnë pacientët në strukturat e sistemit parësor, por dhe spitalor”, - tha Petrit Vasili. Në të njëjtën linjë për kualifikimin e infermierëve, por në veçanti për arsimimin e tyre, i cili synohet të jetë në nivel universitar ka qenë dhe Urdhri i Infermierit. Kreu i këtij urdhri, Sabri Skënderi, ka deklaruar se, shumë shpejt shëndetësia shqiptare do të ketë regjistrin elektronik, për të dhënat e të gjithë infermierëve në Shqipëri. “Ne po kërkojmë mbështetje financiare për kompjuterizimin e të gjitha të dhënave dhe përpilimin e regjistrit elektronik, i pari i këtij lloji dhe shumë i rëndësishëm për të gjithë institucionet e sistemit shëndetësor”, - deklaroi Sabri Skënderi. Gjatë muajit të kaluar, ministri Vasili, nxori një urdhër për infermierët, të cilët, duhet të kenë arsimin e lartë për të mbajtur vendin e punës, ndërkohë që do të ketë kritere lehtësuese, për ata që kanë vite pune, në radhët e shëndetësisë. Aktualisht në vendin tonë, ka rreth 14 mijë infermierë, që përbëjnë rreth 705 të kujdeseve shëndetësore.





Sëmundjet e rënda, seminar kombëtar për kujdesin paliativ në Shqipëri



Kujdesi paliativ në vendin tonë ka qenë tema kryesore e seminarit kombëtar të zhvilluar dje në Tiranë, për fuqizimin e këtij shërbimi shëndetësor. Specialistë të organizatave mbështetëse, të qendrave shëndetësore nga të gjitha rrethet e vendit bënë një vështrim të përgjithshëm të këtij shërbimi në Shqipëri dhe sugjeruan një sërë rekomandimesh për përmirësimin e punës në të ardhmen. Me theks të veçantë u debatua rreth iniciativave aktuale të Ministrisë së Shëndetësisë, për draftin e planit strategjik si dhe për draftin e standardeve për kujdesin paliativ. Kujdesi paliativ është kujdesi aktiv dhe i përgjithshëm për pacientët dhe familjarët e tyre, kur sëmundja nuk i përgjigjet më trajtimit kurues. Ky shërbim ka filluar të ofrohet në Shqipëri prej vitit 1993 nga tre ekipe. Grupi i punës për kujdesin paliativ, si pjesë e grupit kombëtar për luftën kundër kancerit, po punon për institucionalizimin e shërbimit të kujdesit paliativ në Shqipëri.







13 Maj 2010