19/04/2012  Ekzekutimi misterioz i Agim Hoxhës vë në lëvizje policinë


ANGLI- Detektivë nga Hampshire kanë fluturuar për në Shqipëri që të mbështesin prindërit e moshuar të një shqiptari të vrarë, trupi i të cilit u gjet në një makinë të djegur. Tre oficerë anglezë nga departamenti i hetimit të krimit, të cilët komunikuan me oficerët ndërlidhës shqiptarë në Angli, kanë vizituar familjen e Agim Hoxhës, ndërsa vazhdojnë hetimet për të gjetur se kush e vrau atë. Dje u mbush një javë që kur zjarrfikësit zbuluan trupin e djegur të 29- vjeçarit Hoxha në makinën tij “Mercedes”, ngjyrë argjendi, në lagjen “Chilworth”, ndërsa policia bëri thirrje për ndihmë në gjetjen e makinës tjetër të viktimës. Hetuesit nuk mund të jenë të sigurtë nëse makina e humbur tip “Mondeo 58 reg”, ngjyrë gri mund të mbajë të dhëna të rëndësishme në lidhje me vrasjen. Makina aktualisht mungon dhe mund të ketë qenë e parkuar në një rrugë. Hetuesit kanë përdorur dje një automjet të njëjtë, me targa të rreme, për t’iu dhënë një apel mediave me shpresë se dikush do ta njihte makinën. Më shumë se 50 zyrtarë me të gjithë fuqinë tani janë duke punuar në hetimin e vrasjes së Hoxhës. Trupi i tij u gjet në ndenjësen e pasme të makinës tip “Mercedes, i cili ishte djegur të martën e kaluar. Edhe pse zyrtarët kanë zbuluar nga hetimet se Hoxha kishte vdekur para se zjarri të fillonte në makinë, ata ende nuk mund të jenë të sigurt sesi ai vdiq saktësisht. Kryeinspektorja Rakela Farrell tha se policët janë duke punuar përmes qindra veprimeve dhe disa deklaratave. Ajo shtoi se ka disa linja kryesore të hetimit, por ende nuk është krijuar një motiv i fortë. Dje ajo u bëri thirrje të gjithëve atyre që njihnin Hoxhën, i cili ka jetuar në Southampton për tetë vitet e fundit, që të dalin dhe ndihmojnë për të dhënë një tablo të jetesës së tij. Ajo tha se “Agimi do të kishte qenë i njohur mirë - ai do të jetë jashtë në pube dhe klube. Ai ishte një njeri i mirë, me karakter dhe kishte shumë njerëz që e njihnin. Ne jemi të interesuar të dimë për të gjitha aspektet e jetës së tij”. Ndërkaq, tre hetuesit anglezë kanë udhëtuar në Shqipëri për të mbështetur familjen e Agimit. Prindërit e tij janë të moshuar dhe të dobët dhe padyshim ky lajm ka qenë një goditje e tmerrshme për ta. Policia njofton se çdokush që ka informacion në lidhje me Agimin apo vendndodhjen e makinës “Mondeo”, mund të lajmërojë policinë angleze.