Hilari Klinton, e cila është emëruar Sekretare e Shtetit në SHBA nga Barak Obama ka prezantuar projektet për politikën e jashtme para Komisionit të Jashtëm të Senatit amerikan. Hilari Klinton foli për masat që duhen marrë për ngrohjen globale, për rëndësinë e diplomacisë së SHBA-së, po ashtu edhe për situatën në Lindjen e Mesme. "Bota nuk mund t'i zgjidhë problemet pa SHBA-në, por edhe bota nuk mund t'i zgjidhë ato pa ne. Roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në politikën ndërkombëtare është shumë i rëndësishëm. Duhet të punojmë fort për të pasur më shumë aleatë dhe më pak kundërshtarë", u shpreh Klinton. "Mendoj se fuqia amerikane ka lënë për të dëshiruar, por gjithësesi mbetet e preferuar", shtoi 61 vjeçarja, ish- Zonja e Parë e SHBA-së, e cila shoqërohej nga e bija Çelsi. Sipas Klinton, Amerika duhet të përdorë bashkimin e asaj që ajo e cilësoi "smart power", përzierjen e inteligjencës së diplomacisë dhe mbrojtjes. Duke cituar 'të vërtetën, disiplinën dhe krijimtarinë', ajo theksoi se suksesi amerikan nuk ka qënë asnjëherë frut i forcës së vendit, por i vlerave të tij. Përsa i përket krizës në Lindjen e Mesme, senatorja e Nju Jorkut konfirmoi se administrata Obama do të bëjë ç'është e mundur për të arritur një marrëveshje paqeje mes izraelitëve dhe palestinezëve. Klinton tha se SHBA-të do të vazhdojnë të mbështesin sigurinë e Izraelit dhe aspiratat legjitime të Palestinës për të qënë shtet më vete. Klinton nënvizoi se politika e jashtme e administratës së re amerikane do të bazohet në pragmatizëm dhe jo në ideologji dhe do të punojë për të shmangur sjelljet e rrezikshme të Iranit dhe Sirisë, vecanërisht për mbylljen e programeve bërthamore të Teheranit. Ndërkohë që sipas Klinton, përmirësimi i marrëdhënieve me Kinën nuk duhet të jetë një sforcim i vetëm njërës palë, por duhet edhe angazhimi i Pekinit. Klinton gjithashtu ka nënvizuar edhe rëndësinë e bashkëpunimit me OKB-në. Përsa i përket klimës, Hilari Klinton tha se Uashingtoni duhet të marrë drejtimin e përpjekjeve të përbashkëta ndërkombëtare për të luftuar ndryshimet klimatike. Ndërkaq, senatori republikan Riçard Lugar ngriti problemin e konfliktit të interesit mes sekretares së emëruar të shtetit dhe fondacionit "Klinton", i ngritur nga i shoqi Bill. "Qeveritë e huaja mund ta shohin fondacionin "Klinton", si një rrugë për të marrë ndere nga sekretarja e shtetit. Ky problem duhet sqaruar me transparencë, edhe pse nuk duhet të paraqesë pengesa në punën e sekretares së shtetit", tha Lugar.