Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, theksoi se Izraeli është duke bërë koncesione të papara, sa i përket ndërtimit të kolonive në Bregun Perëndimor-qëndrim ky i cili qartazi bien ndesh me qëndrimet e udhëheqësve palestinezë.



Udhëheqësit palestinezë kanë theksuar se nuk do të kthehen në negociatat paqësore me Izraelin, nëse shteti hebre nuk ndal ndërtimin e kolonive në territoret, të cilat palestinezët i kërkojnë për shtetin e tyre të ardhshëm dhe ata besojnë se Izraeli ka injoruar kërkesën e SHBA-së, që ti jep fund ndërtimit të kolonive në territoret e okupuara.



Duke folur në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, Clinton theksoi se Izraeli ka kufizuar dukshëm aktivitetet nëpër koloni.



Është e paparë ajo që ka ofruar kryeministri Netanyahu sa i përket kufizimit të aktiviteteve nëpër koloni. Në kuadër të negociatave ka gjithmonë kërkesa, të cilat kurrë nuk do të realizohen në tërësi, tha Clinton.



Clinton u pajtua me deklaratën e Netanyahut, se palestinezët në të kaluarën kurrë nuk e kanë kërkuar ngrirjen e aktiviteteve nëpër koloni, si një kusht për të vazhduar negociatat paqësore me Izraelin.