TIRANE

Prokuroria e Tiranës kërkon heqjen e sekuestros për dy kompanitë “Reno Albania” shpk dhe “Global Construcion”. Në të parën kunati i ministrit LulzimBasha, Erion Isufi rezulton të jetë bashkëpronar.Ishte organi i akuzës që pak ditë më parë vuri sekuestro mbi këto kompani dhe tashmë ky vendim merret pasi nuk rezulton se kompanitë kanë marrëdhënie tregtare me Damir Fazlliç, i cili hetohet nga Prokuroria për pastrim të produkteve të veprës penale. Gjatë gjithë kësaj periudhe, Erion Isufi u përmend nga opozita dhe shtypi si bashkëpunëtor dhe ortak i Damir Fazlliç.
Vendimi
Në 7 tetor në Prokurorinë e Tiranës u regjistrua procedimi penal për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale” në ngarkim të shtetasit Damir Fazlliç. Biznesmeni boshnjako- anglez rezulton të ketë hapur në Shqipëri disa aktivitete private gjatë periudhës 2005-2007. Në 9 tetor 2008, Prokuroria bazuar në nenin 210, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Penale, vendosi sekuestrimin e llogarive bankare edhe të shoqërive “Global Construction”-sha dhe “Reno Albania” shpk. Këto dy kompani u sekuestruan nga Prokuroria për shkak dyshimeve të lidhjeve të Isufit me Fazllic. Në të njëjtën kohë Isufi kishte qenë për gati një vit administrator i disa prej kompanive të Damir Fazlliçit, ndaj të cilit është hapur një hetim. “Nga provat e administruara më pas, si dokumentet e marra në Degën e Tatimeve Tiranë, dokumentet e administruara nga shtetasi Dionis Teqja, deklarimet e shtetasit Dionis Teqja, verifikimet e kryera pranë QKR etj., rezulton se “shoqëria Global Construction-sha është themeluar nga aksionerët Dionis Teqja dhe Luftar Kasa me objekt aktiviteti në fushën e ndërtimeve civile, industriale etj. Aktualisht pronar i vetëm i shoqërisë është shtetasi Dionis Teqja. Shoqëria ‘Reno Albania’ shpk është themeluar në vitin 2006 me ortak shtetasin Dionis Teqja dhe Erion Isufi me aktivitet tregtar në tregtimin e artikujve, konfeksione, këpucë etj.”, thuhet në vendimin e ditës së djeshme të Prokurorisë së Tiranës. Në një letër që organi i akuzës së kryeqytetit i ka dërguar të gjitha bankave në vend, kërkohet heqja e sekuestros pikërisht ndaj dy kompanive “Global Construction”-sha dhe “Reno Albania” shpk.
Argumentet
Në vendimin e marrë dje nga Prokuroria, argumentohet se mes dy kompanive në fjalë dhe biznesmenit boshnjako-anglez, Damir Fazlliç, nuk ka marrëdhënie tregtare. “Nga shqyrtimi i provave të administruara nuk rezultojnë marrëdhënie tregtare ndërmjet shoqërive ‘Global Construction’ sha dhe ‘Reno Albania’ shpk dhe shoqërive të krijuara nga i hetuari Damir Fazlliç. Kështu çmojmë se duhet hequr sekuestroja e vënë mbi llogaritë e shoqërive ‘Global Construction’ sha dhe ‘Reno Albania’ shpk, pasi nuk cenohen hetimet e nisura”, thuhet më tej në vendim. Për këto arsye, bazuar në nenin 217 të Kodit të Procedurës Penale, Prokuroria e Tiranës vendosi “heqjen e sekuestros mbi llogaritë bankare, depozitave, letrave me vlerë, dokumenteve të shoqërive ‘Global Construction’- sha dhe ‘Reno Albania’ shpk pranë bankave të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë. Ky vendim t’u komunikohet bankave të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë dhe shtetasit Dionis Teqja. Me ekzekutimin e vendimit ngarkohet oficeri i PGJ, Artur Cara”.


Basha: Unë e familjarët, asnjë biznes me Fazlliç

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, tha gjatë një prononcimi për mediat të hënën e kaluar se nuk ka pasur asnjë formë bashkëpunimi mes tij dhe familjarëve të tij me Damir Fazlliç. “Edhe një herë unë i qëndroj asaj që kam thënë në Parlament, transmetoni pikë për pikë. Është e qartë dhe i qëndroj me përgjegjësi të plotë, mendoj se shtypi i lirë, media e pavarur, ka për detyrë që ta hetojë dhe ta zhbirilojë të vërtetën deri në fund. Nga zhbirilim i së vërtetës deri në fund duket qartë se kemi të bëjmë me një fushatë shpifjesh, asnjë nga familjarët e mi. Zoti Isufi e as unë nuk kemi pasur asnjëherë lidhje biznesi, biznese të përbashkët, ortakëri apo nuk kemi zhvilluar asnjëherë aktivitet ekonomik me zotin Fazlliç”, theksoi Basha të hënën e kaluar në Kuvend. Ndërkohë në fjalën e mbajtur para deputetëve gjatë pjesës së parë të seancës, ku trajtohen çështjet që nuk janë në rendin e ditës, Basha akuzoi kreun e PS-së, Edi Rama, si orkestruesin e shpifjes së radhës për sa i përket biznesmenit Fazlliç.