Jahmir Hyka ka shumë mundësi të largohet nga Tirana, por ende nuk dihet drejtimi i tij i saktë. Për lojtarin e talentuar të kombëtares ekzistojnë pistat e Rusisë, Kroacisë dhe, ndoshta Dubait, ndërsa Olimpiakosi e fton që të kthehet. Burime pranë lojtarit pohuan dje se prej një muaji e gjysmë ka ardhur ftesa nga klubi grek që Hyka të shkojë sërish në Pire, por shtoi se Jahmiri nuk e ka me qejf atë punë. "Olimpiakosi e kërkon dhe ftesa ka një muaj e gjysmë që ka ardhur, por Hyka vetë nuk ka dëshirë të shkojë atje", - pohoi burimi. Vetë lojtari, pak kohë më parë, është shprehur se "gjithcka e kam lënë në dorë të menaxherëve të mi".
Spartaku i Moskës ka shumë mundësi ta vëzhgojë shqiptarin në Gjermani, kur ai të jetë pjesë e përfaqësueses kuqezi në takimin miqësor ndaj Polonisë. Ndeshja do luhet më 27 maj në Rojtlingen dhe mësohet se Spartaku do të ketë emisarët e tij në stadium. Po ashtu, nga Kroacia (ndoshta Dinamo e Zagrebit, ndoshta ndonjë klub tjetër) ekziston ende interes për Hykën. "Ka shumë mundësi që të largohet", - tha dje një burim brenda klubit bardheblu".