Përcillet për në banesën e fundit rilindasi i fundit i derës së Frashëllinjve Kristo Frashëri. Akademikë, intelektualë dhe politikanët më të rëndësishëm në vend i dhanë lamtumirën e fundit në ceremoninë e homazheve të organizuar nga Akademia e Shkencave.
"Besoj se i kam bërë gjërat mirë dhe mendoj se kam lënë trashëgimi diçka për vendin tim".
Këto janë fjalët e fundit që i tha të birit Gjergji Frashëri historian i njohur Kristo Frashëri, përpara se të mbyllte sytë.
Në nder të Akademikut dhe historianit i cili i dedikoi 75 vite të jetës së tij të gjatë, veprës dhe studimeve shqiptare kryen homazhe personalitetet e politikës shqiptare.
Komuniteti i studiuesve dhe historianëve e cilëson humbje të madhe për Akademinë Shqiptare.
Pëllumb Xhufi e cilëson Kristo Frashërin si kolonë të rëndësishme të historiografisë shqiptare, i cili me veprën e tij ka prekur çdo periudhë.
Xhufi nënvizon edhe momentin e refuzimit për të marrë titullin Doktor i Shkencës në Komunizëm.
Ndërsa historiania Vali Duka e ka si pikë referimi në punën e saj.
Prof. Dr. Kristo Frashëri u nda nga jeta në moshën 96 vjeçare. Akademik dhe historian i njohur, ai ka lënë pas një krijimtari shkencore të pasur, ku ka pasqyruar jetën kulturore shqiptare gjatë shekujve.