I përndjekuri politik, Gjergj Ndreca




Tiranë, policia shoqëron të përndjekurin për disa ore, hetohet i lirë.


Gjergj Ndreca fyen ministrin e Financave te Kuvendi.


I përndjekuri politik, Gjergj Ndreca, i akuzuar për goditjen me grusht të deputetit Ilir Rusmali dhe avokatit Agim Tirana, përfundon sërish në polici për herë të tretë brenda dy javësh për ngjarje të natyrës së njëjtë. Kësaj herë, Ndreca akuzohet se ka fyer e kërcënuar ministrin e Financave, Ridvan Bode. Ndryshe nga dy rastet e mëparshme, që u arrestua pasi ushtroi dhunë fizike ndaj deputetit Ilir Rusmali dhe avokatit Agim Tirana, këtë herë i përndjekuri është treguar më i matur, duke u mjaftuar vetëm me fyerje dhe kanosje në distancë ndaj Bodes, duke shpëtuar nga prangat. Incidenti i radhës me ministrin Bode ndodhi dy ditë më parë, rreth orës 13:00, para Parlamentit, në të njëjtin vend ku Ndreca goditi deputetin Rusmali. Një patrullë policie e ndodhur në vendin e ngjarjes ka shoqëruar menjëherë në Komisariatin Nr.1 dhe pasi është marrë në pyetje për disa orë, është vendosur që ndaj tij të niste procedim penal në gjendje të lirë, me akuzën “fyerje e kanosje për shkak të detyrës të zyrtarëve të lartë shtetërorë”. Ndërsa në dy rastet e mëparshme, që ai ishte arrestuar për dhunën e ushtruar ndaj deputetit Ili Rusmali dhe avokatit Agim Tirana, gjykata ka dhënë masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.

INCIDENTI ME BODEN

Ministri i Financave, njëherësh edhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Ridvan Bode, është fyer dhe kanosur nga Ndreca, i cili e akuzonte ministrin se ishte shkaktar i bllokimit të fondeve për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë. Incidenti ndodhi rreth orës 13:00 të ditës së enjte, në rrugën “Xhorxh Bush”, që ndodhet mes godinës së Parlamentit dhe selisë së shoqatës së ish-të dënuarve politikë. Ministri i Financave, Ridvan Bode, në atë moment sapo kishte zbritur nga makina dhe ishte drejtuar për t’u futur në Parlament, kur është përballur me Gjergj Ndrecën. Ky i fundit sapo ka parë Boden që ka zbritur nga makina, ka dalë me nxitim nga lokali ku qëndron vazhdimisht pranë selisë së përndjekurve dhe nuk ka hezituar ta ofendojë me fjalë të ndryshme e më pas edhe ta kërcënojë. Sipas burimeve nga Policia, Bode nuk ka reaguar ndaj fjalëve të Ndrecës, por ka vazhduar rrugën drejt Parlamentit. Ndërsa disa punonjës policie, që patrullojnë vazhdimisht zonën para Parlamentit, kanë parë gjithçka dhe kanë shoqëruar ish-të përndjekurin në Komisariatin Nr.1. Gjergj Ndreca u arrestua për herë të parë nga policia më 16 shkurt, pasi goditi me grusht në fytyrë deputetin Ilir Rusmali. ETLEVA DELIA


“Ndreca kërcënoi avokatin me vrasje”

TIRANE – Episodi i dhunës fizike ndaj avokatit Agim Tirana mesditën e 22 shkurtit nga ana e ish-të dënuarit politik Gjergj Ndreca zbardhet në vendimin e Gjykatës së Tiranës, që liroi nga paraburgimi autorin e ngjarjes. Sipas Gjykatës, Ndreca e ka goditur me grushte avokatin Tirana, duke i thënë se do ta vriste. “Më datë 22.02.2012, rreth orës 14:20 kallëzuesi Agim Tirana me profesion avokat ka qenë duke kaluar përpara hyrjes kryesore të bar-restorant ‘Lulishte 1 Maji’, në këtë moment kallëzuesi është goditur nga ana e personit nën hetim, Gjergj Ndreca, i cili e njihte më parë kallëzuesin. Nga kjo goditje kallëzuesit i është thyer xhami i syzeve optike. Pas këtij momenti kallëzuesi ka ulur kokën për t’iu shmangur goditjeve të tjera, por personi nën hetim ka vazhduar ta godasë duke e sharë dhe duke i thënë se do ta vriste. Me ndërhyrjen e një personi të rastësishëm është ndërprerë sulmi i personit nën hetim. Kallëzuesi ka telefonuar numrin 129 dhe kanë mbërritur punonjësit e Policisë të cilët kanë bërë arrestimin e personit nën hetim”, thuhet në vendim.       ar.ba