Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive nis projektimin e sistemit të deklarimit online të interesave private nga zyrtarët, subjekte të ligjit. Projekti, i cili do të vihet në zbatim në bashkëpunim me Postën Shqiptare sh.a. dhe Ministrinë e Teknologjisë dhe Inovacionit, nis në mars 2011, kohë që përkon me deklarimin e interesave private periodike/vjetore nga rreth 4500 zyrtarë të administratës publike.


Zbatimi i këtij standardi të ri, i cili është parashikuar të nisë me institucionin e Kuvendit të Shqipërisë, siguron saktësi maksimale në mënyrën e hetimit administrativ. Në përfundim të fazës paraprake të aplikimit të këtij sistemi, Inspektorati i Lartë do të zbatojë strategjinë e deklarimit online për të gjitha institucionet publike, në të cilat ushtrojnë funksionet publike zyrtarët deklarues. Në bazë të shërbimit të certifikimit elektronik, Inspektorati i Lartë synon gjithashtu të administrojë në kohë reale të gjitha interesat private të zyrtarëve dhe të minimizojë kohën që kërkohet aktualisht për procesin e regjistrimit, skanimit dhe kontrollit paraprak të formularëve të vetëdeklarimit, si edhe për të vendosur më në efiçencë kapacitetet njerëzore në drejtim të hetimit administrativ.