Gjatë vitit 2007, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ka kallëzuar penalisht në prokurori për “Fshehje të pasurisë” 4 zyrtarë, ndërsa 12 zyrtarë janë dërguar në organin e akuzës për “Refuzim për deklarim të interesave private”. Shifrat u paraqitën dje (e hënë - 17.03.2008) nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në seancën dëgjimore për veprimtarinë e institucionit për vitin 2007 në Komisionin parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

SSSASS
Konflikti i interesit
SSSASS
Inspektorja e Përgjithshme e ILDKP, znj. Fatmira Laska, paraqiti shifra të detajuara për rastet e konfliktit të interesave. “Në 70 raste zyrtarët kanë qenë në konflikt interesi dhe iu është sugjeruar zgjidhja ndërmjet largimit nga puna ose dorëheqjes nga interesat private. Si rezultat, në 63 raste zyrtarët kanë zgjidhur konfliktin duke hequr dorë nga interesat private që binin ndesh me funksionin publik dhe në 7 raste zyrtarët kanë bërë zgjidhjen duke u larguar nga funksioni publik. Ndërsa, në 40 raste të tjera është shmangur rekrutimi (marrja) në funksione të ndryshme, pasi kandidatët ishin në konflikt interesi.”
Po ashtu, theksi u vu edhe në masat e marra nga institucioni për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike. “Inspektorati i Lartë ka synuar të përcjellë nëpërmjet trajnimeve të shumta, qartësi për kërkesat e ligjit, sepse përgjegjësia për shmangien e konfliktit të interesave nis nga vetë zyrtari e vazhdon me progresion rritës tek eprori i zyrtarit, mandej tek institucioni epror e më pas, tek Inspektorati i Lartë”, - u shpreh znj. Laska, duke e përmbledhur serinë e gjatë të trajnimeve të zyrtarëve të pushtetit qendror e vendor për kuptimin e ligjit “Mbi konfliktin e interesave...” të zhvilluara gjatë vitit të kaluar.

SSSASS
Deklarimet
SSSASS
Më tej, para deputetëve u paraqitën shifra të procesit të deklarimit të interesave private. “Në total, deri më 31 dhjetor 2007, numri i zyrtarëve që janë regjistruar si subjekte të hetimit administrativ nga ana e institucionit tonë prej fillimit të funksionimit të ILDKP, që nisin nga funksionet më të larta e vazhdojnë deri tek inspektorët tatimorë e doganorë është 8340 subjekte. Ndërsa, numri i Deklaratave të Interesave Private të dorëzuara në ILDKP gjatë vitit 2007 është 4 472 deklarata. Numri i subjekteve të regjistruara për herë të parë gjatë vitit 2007 në Regjistrin Themeltar të ILDKP është shtuar me 570 subjekte-zyrtarë të rinj, çka ka obliguar punonjësit e Inspektoratit të Lartë që të angazhohen maksimalisht në dhënien e asistencës tekniko-ligjore ndaj tyre për plotësimin sipas kërkesave ligjore të dokumentit “deklaratë e interesave private”, - u shpreh znj. Laska.

SSSASS
Gjobat
SSSASS
Edhe në vitin 2007, Inspektorati i Lartë vendosi masën administrative gjobë për 175 zyrtarë, të cilët nuk e plotësuan në afat deklaratën e interesave private, pavarësisht përpjekjeve të institucionit, duke konsumuar të gjitha mënyrat e komunikimit (njoftim me postë, telefon, njoftim në media, etj).
Inspektori i Përgjithshëm paraqiti gjithashtu edhe statistika për kontrollin e plotë, faza përfundimtare e hetimit administrativ që kryen ILDKP. “Vetëm në vitin 2007 ka nisur kontrolli i plotë për 650 subjekte. Ndërkohë që, gjatë të njëjtit vit, kontrolli i plotë ka përfunduar për 708 zyrtarë, nga të cilët 56 kanë rezultuar me probleme, për një pjesë të të cilëve, procedura e hetimit të plotë administrativ ka nisur para vitit 2007.”

SSSASS
Trajnimet
SSSASS
Në periudhën janar-shkurt 2007, ILDKP organizoi seminare trajnimi me 45 drejtorë të Drejtorive Rajonale dhe drejtorë drejtorie të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Gjithashtu, kjo praktikë është ndjekur edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, duke i vlerësuar këto si institucione prioritare për shkak numrit të madh të punonjësve të tyre që janë dhe subjekt të ligjit, të shpërndarjes së madhe në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe lëvizjeve të shpeshta në administratën e tyre
Pas fazës së parë të seminareve dhe sidomos pas zgjedhjeve lokale të Shkurtit 2007, prej nga një pjesë e drejtuesve vendorë u zgjodhën për herë të parë në postet e kryetarëve të Bashkive e Komunave, Inspektorati i Lartë, duke e vlerësuar pushtetin lokal si një hallkë shumë të rëndësishme për bashkëpunim në shmangien e konfliktit të interesave në veçanti dhe luftës kundër korrupsionit në përgjithësi, vlerësoi si të nevojshëm organizimin e një serie trajnimesh. Për këtë arsye, Inspektorati i Lartë nënshkroi Marrëveshje Bashkëpunimi me Institutin Shqiptar të Trajnimit të Administratës Publike (ITAP), si institucion i specializuar për seanca trajnimi. Pas nënshkrimit të marrëveshjes me këtë institucion, me mbështetjen edhe të përfaqësisë së OSBE-së në Shqipëri, u organizuan në periudhën shtator-dhjetor seminare në 12 qarqe të vendit, ku u trajnuan rreth 480 zyrtarë lokalë, nga të cilët 44 janë kryetarë bashkie dhe 182 drejtues të njësive vendore. “Mund të themi, - u shpreh znj. Laska, - se gjithçka që u lartpërmënd tregon një hap përpara në lidhje me punën e bërë dhe marrëdheniet efektive me të gjithë autoritetet përgjegjes të institucioneve të vendit, pavarësisht ngarkesës dhe vështirësive, të gjithëshpërndarjes territoriale, të ndërrimit të shpeshtë të tyre.” Po ashtu, nga 12 kryetarë të këshillave të qarqeve, kanë ndjekur trajnimet e ILDKP-së 10 kryetarë. Po kështu, edhe 90 % e prefektëve kanë qenë të pranishëm në seminaret trajnuese për evidentimin dhe parandalimin e konfliktit të interesave.