Tiranë- Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ka gjobitur 37 zyrtarë të niveleve të ndryshme, të cilët kanë shkelur afatet zyrtare të deklarimit të pasurive.

Sipas ILDKP-së, pas rakordimeve të kryera në përfundim të procesit të deklarimit periodik/vjetor, ka rezultuar se kanë dorëzuar formularin e pasurisë jashtë afatit ligjor ose nuk kanë e kanë paraqitur pranë zyrave të ILDKP-së 31 zyrtarë që mbartin detyrim për deklarim “periodik/vjetor”; 4 zyrtarë që kanë detyrim për deklarimin “para fillimit të detyrës”; dhe 2 zyrtarë që duhet të plotësojnë formularin “pas largimit nga funksioni”.

Mësohet se mes zyrtarëve të gjobitur rezultojnë punonjës të Ministrisë së Jashtme dhe të Mbrojtjes, kryetari i Bashkisë së Policanit, punonjës të doganave dhe tatimeve si dhe disa përmbarues. Gjoba varjon nga njëzet mijë lekë në tridhjetë mijë lekë të reja.

Gjithashtu, Inspektorati i Lartë është në përfundimin e procedurave për vendosjen e masave administrative edhe ndaj disa zyrtarëve të tjerë, emrat e të cilëve nuk publikohen për momentin.