Çmimet e materialeve elektrike duket se vijojnë t‘ua vështirësojnë jetën kompanive të ndërtimit, pavarësisht ftohjes së përgjithshme të kostove të këtij sektori, të shkaktuar nga kriza ekonomike dhe mungesa e shitjeve. Instituti i Statistikave njoftoi dje se kostoja në sektorin e ndërtimit u ul me 0.4 për qind në tremujorin e parë të këtij viti në krahasim me tremujorin e fundit ‘08, por shpenzimet për materiale elektrike u shtrenjtuan me 4.6 për qind, ndërkohë që hidrosanitaret u shtrenjtuan me 0.4 për qind. Shtrenjtimi i këtyre dy zërave u kompensua me rënien e ndjeshme të kostos së materialeve të ndërtimit, hekurit, betonit dhe tullave me 1.3 për qind. Në krahasim me një vit më parë, materialet elektrike janë shtrenjtuar me 11 për qind, ndërsa materialet e ndërtimit janë shtrenjtuar me 0.6 për qind.

Indeksi i kushtimit në ndërtim publikohet nga INSTAT-i dhe merr për bazë shpenzimet e kompanive të ndërtimit të raportuara tek administrata tatimore. Vite më parë, kostoja e nxjerrë nga INSTAT-i përdorej nga Ministria e Financave si çmim referencë për zbatimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar që paguajnë kompanitë e ndërtimit. Por, në vitin 2007, Financat nuk morën më parasysh IKN-në dhe rritën artificialisht koston e ndërtimit.

Që nga viti 1999, kur indeksi filloi të publikohet, kostoja e ndërtimit është rritur me 28 për qind në Shqipëri, por çmimet e apartamenteve dhe dyqaneve janë rritur me 200-300 për qind. Kompanitë e ndërtimit ankohen për kostot e pamatshme nga indeksi, ku korruptimi i zyrtarëve të ndryshëm është kostoja më e rëndë që i mban çmimet e apartamenteve të larta.