Pas konfirmimit të rastit të katërt të virusit H1N1 në Shqipëri, Instituti i Shëndetit Publik njofton se janë marrë të gjitha masat ndaj virusit, të njohur si gripi i derrave. Jeta Lakrori, shefe e Departamentit të Promocionit në ISHP pohoi se tashmë janë shtuar masat ndaj këtij virusi. Ajo bëri me dije se janë shpërndarë fletëpalosje në gjithë vendin për fëmijët po ashtu edhe postera për udhëtarët. Sipas Lakrorit, higjena e lartë vetjake është thelbësore ndaj këtij virusi. "Po ashtu duhet të evitohet qëndrimi i shumë personave në ambjente të mbyllura", tha ajo. Drejtori i ISHP-së, Alban Ylli konfirmoi prekjen nga H1N1 të tre marinarëve të huaj. Ai shtoi se çdo ditë ka raste të dyshuara nga H1N1, por vetëm 4 raste janë konfirmuar. "Virusi qarkullon në vendin tonë. Janë shtuar masat. Individët që kanë shenja të virusit si temperaturë dhe kollë të vetëizolohen që mos bëhen burim infeksioni për komunitetin", nënvizoi ai.