TIRANË- “Ideja e hetimit ndërkombëtar në tërësinë e saj është absurde”. Ky është qëndrimi që jep Genti Ibrahimi, Drejtor i Institutit për Studimet Publike & Ligjore, lidhur me deklaratën e Kryeministrit se do të kërkonte hetim ndërkombëtar për çështjen Fazlliç. Ngritja e një grupi hetimor ndërkombëtar nga ana e qeverisë ka ngritur një sërë pikëpyetjesh duke filluar nga ajo më e thjeshta nëse kërkesa e qeverisë për një hetim ndërkombëtar është e mbështetur ose jo në ligj. Dy ditë më parë kryeministri Sali Berisha kërkoi hetim ndërkombëtar për Damir Fazllic. Sipas jush, cila është rruga ligjore për kryerjen e një hetimi ndërkombëtar, kujtoj që një i tillë në Shqipëri është bërë vetëm për çështjen Hajdari dhe atëherë hetimi u kërkua nga Prokuroria e Përgjithshme dhe jo nga qeveria? Për mua “hetimi ndërkombëtar”nuk është veçse një togfjalësh i sajuar me ngut dhe pa asnjë përmbajtje juridike. Ata që e hodhën këtë ide kanë edhe detyrimin publik të sqarojnë morinë e pyetjeve që natyrshëm e pasojnë atë (idenë). Pyetja e parë që shtrohet është se kush do ta bëjë hetimin. Një profesor me mjekër të bardhë nga Zvicra apo një panel ish kongresmenësh amerikanë. Natyrisht që të shtrosh këtë pyetje është si të hapësh kutinë e erërave të Eolit sepse pas saj vijnë një mijë pyetje të tjera si psh. Sa hetues do të duhen (Një? Pse një? Po sa? – Tre - Pse tre? …. e kështu me radhë)? Çfarë kualifikimesh duhet të kenë ata? Kush do t’i emërojë ata? Sa do t’i paguajmë? Nga do vijnë paratë? Çfarë procedurash do të ndiqen në hetimin ndërkombëtar? Kush do t’i miratojë ato (procedurat)? Si do të zgjidhen çështjet e konfliktit të interesave dhe të paaftësisë së hetuesve? Çfarë përgjegjësie do mbajnë ata në rast kequshtrimi të detyrës? Çfarë përdorimi mund t’iu japim përfundimeve të vyera të këtyre hetuesve…… dhe shumë e shumë të tjera. Nëse dikush, bën një eksperiment të vogël me vehten dhe i shtron të njëjtat pyetje për një institucion real të skemës institucionale (psh për prokurorinë), të jeni të sigurt që për secilën prej këtyre pyetjeve ekziston një përgjigje. Përgjigja gjendet në sistemin tonë ligjor të ndërtuar me mundim në harkun kohor të disa dekadave dhe të modeluar sipas modeleve më të hershme të testuara në qindra e mijëra vjet histori qytetërimesh e institucionesh. Eshtë e tepërt të them se mundësitë për të zgjidhur në mënyrë të kënaqshme gjithë këto çështje në harkun kohor të disa javëve apo muajve nuk janë as teorike. Unë nuk kam memorie të imët për hetimin ndërkombëtar të çështjes Hajdari, por di me siguri se vrasësit e zotit Hajdari u ndoqën penalisht nga Prokuroria e Republikës së Shqipërisë dhe u dënuan me vendim gjyqësor të formës së prerë nga Gjykatat e Republikës së Shqipërisë (di edhe që vuajnë dën- imin në sistemin penitenciar të Republikës së Shqipërisë). Asnjë komision ndërkombëtar hetimi nuk mund të zëvendësojë rolin e institucioneve të lartpërmendura. Të pranosh të kundërtën është si të thuash se ne shqiptarët sapo kemi zbritur nga pemët dhe, si një shoqëri para shtetërore, nuk jemi në gjendje të ndërtojmë institucione e të vetqeverisemi. Në rastin e zotit Hajdari, në kushtet e një shteti të tronditur nga themelet (me Kryeministri të djegur e qeveri në arrati), prokuroria, mesa duket, ka kërkuar një dozë ekstra legjitimiteti që është gjithmonë i diskutueshëm në rastet e turbullirave sociale. Nuk më duket vendi për paralelizëm. Nuk kam dëgjuar kënd të vërë në dyshim të drejtën e prokurorisë për të hetuar evazionin e prezumuar fiskal të një per- soni privat të huaj si Fazlliç. Nga godina e kryeministrisë nuk shoh të dali tym. Kryeministri është në detyrë dhe si kokrra e mollës. Nuk shoh asnjë arsye në botë se pse në këtë rast duhet të anashkalojmë institucionet kushtetuese për të hetuar z. Fazlliç apo lidhjet e dyshimta të qeverisë me të. Në rastin e parë, hetimi është qartësisht detyrë e prokurorisë. Në të dytin, pa mohuar kurrësesi të drejtën e prokurorisë për ta hetuar edhe këtë çështje, mund të justifikohet edhe një komision parlamentar hetimi duke pasur parasysh gjerësinë e problematikës dhe implikimin e prezumuar të shumë titullarëve të shtetit. Në këtë pikë më duhet të kujtoj se në të dyja rastet (hetimi nga prokuroria dhe nga një komision parlamentar) ato pyetjet e shtruara më lart kanë një përgjigje të prerë e të sprovuar. Së fundmi, për t’iu përgjigjur në mënyrë më direkte dhe të përmbledhur pyetjes tuaj, do të thosha se hetimi ndërkombëtar i propozuar nga qeveria nuk është ligjor e për pasojë nuk mund të ekzistojë as ndonjë rrugë ligjore për ta kryer atë. Nqs këmbëngulni që unë t’i vë një emër kësaj ideje qesharake do të thosha se ajo është një premisë për cenim të sovranitetit, cenim të pavarësisë së organit të akuzës dhe një ofendim masiv për të gjithë shqiptarët. Kryeministri Berisha, në përgjigje të interesimit të medias, theksoi se hetimin ndërkombëtar do ta kërkojë përmes një dekreti në një kohë që një gjë e tillë i takon vetëm Presidentit të Republikës. Si veprohet juridikisht në këto raste? Apo deklarata të tilla janë thjesht një mënyrë për të tërhequr vëmendjen dhe jo të bazuar gjëkundi në ligj? Ideja e hetimit ndërkombëtar në tërësinë e saj është absurde. Nuk përbën ndonjë çudi që edhe zgjedhja e instrumentit ligjor për ta sjellë në jetë atë, të jetë, po ashtu, absurde. Në pritje të sqarimeve të mëtejshme në lidhje me procedurat dhe instrumentet konkrete që do të përdoren në vijim, mund të them se përmendja e dekretit si instrument mund të jetë edhe një lapsus nga ana e Kryeministrit. Një gjë është sidoqoftë e sigurt. Propozimi është antikushtetues dhe si i tillë shpresoj se do të braktiset në mes të rrugës nga mbështetësit e tij. ---------------------------------------------Patozi: Hetimi, sfidë për opozitën TIRANË- Kryetari i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Astrit Patozi e ka cilësuar një sfidë politike vendimin e qeverisë për të ndërmarrë një hetim ndërkombëtar për Damir Fazlliç. Në një deklaratë për mediat, Kryetari i deputetëve demokratë vuri në dukje se ky vendim i qeverisë në thelb do të përbëjë një, “sfidë të vërtetë politike që i shpallet opozitës, se në rast se një për qind e pretendimeve të tyre qëndrojnë, ato të verifikohen nga një trup hetuesish ndërkombëtarë dhe hetuesish shqiptarë, e cila do ta bënte më të shpejtë rezultatin e hetimit”. Dy ditë më parë, kryeministri Sali Berisha theksoi në konferencën për shtyp motivet dhe nevojën që ka vendi për hetimin e çështjes Fazlliç. Qëndrimi i Berishës u përforcua edhe nga Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, i cili u shpreh se hetimi përmes një grupi hetimi të përbashkët të huaj dhe shqiptarë do ti shërbejë zbardhjes së fakteve. Patozi kërkoi edhe njëherë që opozita ta mbështesë këtë nismë.