02-03-2012 / Nga Zeqirija Ibrahimi

M’u paraqit një ditë një “gocë e Qeverisë” dhe më kërkoi t’ia përkthej “urgjentisht” disa faqe tekst. Meqë rekomandimi ishte përmes një mikut tim, pranova. Në atë tekst ishte edhe një fjalim që kryeshefi i Shtatmadhorisë së ARM-së, Goranço Koteski, do ta mbajë në ditën e Armatës dhe ku ai, ndër të tjerash, në gjuhën maqedonase do të thotë: “.... vekovnata borba za sloboda na makedonskite voini, vostanici i borci....”. Kjo fjali në përkthimin tim doli: “.... lufta shekullore për liri e luftëtarëve, kryengritësve dhe heronjve maqedonas......”. Pasi që e përfundova dhe ua dërgova përkthimin, natyrisht duke lënë shumë punë të tjera, ditën e ardhshme ajo cuca m’u paraqit për të më bërë vërejtje se nuk ishte e kënaqur me përkthimin. Dhe, mes disa gjërave teknike, vërejtjen më të madhe e kishte pse unë “makedonski” e kam përkthyer “maqedonas”, ndërsa, sipas asaj, ishte dashur të jetë “të Maqedonisë”. Duke dashur t’ia bëj me dije se kjo punë është më serioze se ç’mendon ajo, i thashë me mahi se “këtë punë s’e ka zgjidhur hala Ali Ahmeti e s’mund ta zgjidhi unë, prandaj e kam lënë ashtu”, por ajo insistonte, madje duke më akuzuar e duke shprehur agresivitet e arrogancë pse “kam gabuar”. Dhe, nejse, asaj s’kisha mundësi t’ia shpjegoj më gjatë “pse kam gabuar ashtu”, se në bazë të tonit plot barot që e kishte, dyshoja se do të më kuptonte, por dëshiroj që për lexuesit e vëmendshëm të kësaj gazete të shpjegoj se ku është ky dallim dhe pse është kaq e rëndësishme kjo.
Posesiviteti/“Maqedonas” është mbiemër i panyjshëm që buron nga emri i kombit “maqedonas”. Njësoj si shqiptar/e, turk/e, rom/e, vllah/e etj., që, kur vihen pas ndonjë emri, krijojnë cilësinë, përkatësinë, pronësinë ose tipizimin e emrit. Në gjuhët sllave konstruksionet me “makedonski, hrvatski, bugarski, sërpski” etj., shprehin përkatësi etnike, gjeografike, shtetërore, kulturore etj., varësisht pranë cilit emër përdoren, porse në rastet kur ato duhet të përkthehen në gjuhën shqipe, sidomos në konstelacionet multietnike dhe tejet të politizuara, siç është Maqedonia, te shqiptarët krijojnë irritim dhe insistim që ato të përkthehen jo më si mbiemër, por vetëm si lidhje gjenitive. Pra, shqiptarët e Maqedonisë, njësoj si kjo vasha që nuk e njoh, insistojnë me ngulm që ky formulim të bëhet me “i/e Maqedonisë”, sepse mbiemri “maqedonas” për shqiptarët ka para së gjithash kuptim etnik. Dhe, ndonëse nga gjuhëtarët maqedonas mund të interpretohet si formulim jotendecioz, madje i natyrshëm i gjuhës maqedonase, kjo te shqiptarët nuk mirëpranohet, sepse duke qenë “maqedonase/e”, ajo i përjashton shqiptarët. Megjithatë, kur bëhet fjalë për shembullin që e kemi dhënë më sipër, ai saktësisht e ka kuptimin e përkatësisë etnike dhe nuk lë hapësirë për ekuivoke të tipit “mundet edhe me lidhje gjenitive”. “Heronj maqedonas” e ka saktësisht kuptimin “hero i përkatësisë etnike maqedonase”, pra i përjashton të gjithë shqiptarët (dhe të tjerët) që kanë qenë dhe janë pjesë e ARM-së, të cilët mund të përfshiheshin në “heronj të Maqedonisë”. Megjithëse ky formulimi i fundit mund t’i nënkuptonte edhe ushtarët e UÇK-së, sepse edhe ata i kanë plotësuar kushtet gjeografike (janë të territorit të Maqedonisë) dhe, së paku për neve, janë heronj (tjetër gjë është ajo se në anën e kujt kanë qenë).
Megjithatë, ajo që më nxiti edhe më shumë të shkruaj për këtë çështje është se pushtetet, pra jo vetëm ky sot, por të gjitha që vijnë e shkojnë nga e ’90-ta e këndej, mundohen të na e shesin gjizën për djathë. Edhe përkundër irritimit që e krijon te shqiptarët, shteti insiston, i emërton dhe i regjistron zyrtarisht e me tendencë institucionet “Makedonski/a”, duke nënkuptuar përkatësinë e tyre etnike, ndërsa shqiptarët “në të zezë” (pra, jo zyrtarisht) vazhdojnë t’i përkthejnë “i/e Maqedonisë”. Dhe, kështu politikanët shqiptarë neve na mashtrojnë me “sukseset e tyre”, ndërsa shtetin nuk e turbullojnë aspak. Në këtë mënyrë shteti e quan “Makedonska Radio-Televizija”, ndërsa shqiptarët e quajnë “Radio-Televizioni i Maqedonisë”, shteti e quan “Makedonski olimpiski komitet”, ndërsa shqiptarët e përkthejnë “Komiteti Olimpik i Maqedonisë”, “Makedonska informativna agencija” është zyrtarisht dhe ashtu i thonë ata, ndërsa shqiptarët e përkthejnë me “Agjencia Informative e Maqedonisë”, “Makedonski zheleznici” e bëjnë “Hekurudhat e Maqedonisë”, “Makedonska akademija na naukite i umetnostite” e bëjnë “Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë” etj. Megjithëse këto emërtime edhe në maqedonisht pa problem mund të shpreheshin me “na Makedonija” dhe kështu do të anulohej kuptimi i tyre etnik, maqedonasit insistojnë me fanatizëm të jenë “makedonski”, ndërsa shqiptarët shtiren se ato janë edhe tonat dhe i përkthejnë me “i/e Maqedonisë”.
Identitetet/Duke folur mbi këto gjëra, patjetër na shtrohet çështja  e identiteteve. Maqedonia dhe maqedonasit, duke qenë të zënë ngushtë me çështjen e mosnjohjes së emrit të tyre të shtetit dhe të etnisë së tyre, shfryhen ndaj qytetarëve të tjerë që jetojnë në Maqedoni. Kështu, duke u nisur nga parimi se shumë shtete identitetin e tyre shtetëror e kanë ndërtuar mbi identitetin e etnisë që e ka themeluar atë shtet ose nga parimi se identiteti shtetëror krijohet në bazë të territorit, edhe bashkëqytetarët tanë maqedonas insistojnë që edhe përkatësinë e tyre etnike ta quajnë “maqedonas”, edhe të gjitha institucionet të jenë “maqedonase”, edhe shteti të jetë “maqedonas”, edhe qytetarët e tij (që 40% janë etni të tjera) të jenë “maqedonas”, që pastaj prodhon emërtime deledash si “makedonski allbanci” (që i bie një biçim “edhe maqedonas edhe shqiptarë”). Kjo vërtet është paradoksale. Sepse, edhe deklarativisht edhe juridikisht “Maqedonia nuk është vetëm e maqedonasve”. Shtetet heterogjene, siç është edhe Maqedonia, bëjnë gabim me përmasa asimiluese kur duan që të gjithë qytetarët t’i emërtojnë nën emërtimin e tyre etnik, duke nënkuptuar kështu edhe përkatësinë shtetërore. Në fakt, ashtu siç insistojmë që Republika e Shqipërisë të mos i quajë të gjithë qytetarët e saj “shqiptarë” (sepse ajo logjikë shqiptarët e Preshevës i bën serbë), sepse shqiptarë jemi edhe ne këndej kufirit, po ashtu insistojmë që edhe shteti i Maqedonisë të mos i quajë të gjithë qytetarët e tij maqedonas derisa me atë emërtim e njeh edhe etninë shumicë të këtij vendi. Ky, më së paku, është diskriminim.
Kur jemi këtu, kujtoj se shqiptarët tash duhet të insistojnë që me emërtimet e reja të shtetit, të përkatësisë shtetërore dhe të përkatësisë etnike maqedonase (ashtu si quhen sot) të bëjnë dallim të qartë se cili është emërtimi për shtetin, që prej atij emri të derivohet identiteti shtetëror, por jo edhe identiteti etnik i popullatës shumicë, siç është sot. Fjala bie, nëse bihet dakord që emri i shtetit të jetë “Maqedonia” dhe emri i etnisë të jetë “maqedonas”, që për shqiptarët e Maqedonisë nuk është fare problem, atëherë që edhe shqiptarët e Maqedonisë të mund të identifikohen me këtë shtet, do të duhet të krijohet një emërtim tjetër për identitetin shtetëror, si për shembull “maqedonian” etj. Në atë mënyrë etnitë do të ishin maqedonas, shqiptarë, turq etj., ndërsa të gjithë me përkatësi shtetërore do të ishim “maqedonian”. Atëherë edhe emërtimet e institucioneve do të kishin kuptim shtetëror. Ky le të jetë vetëm një propozim, që në fakt nuk është i imi, porse kujtoj se kjo duhet të analizohet më seriozisht seç e kanë bërë deri tash politikanët shqiptarë, që “s’kanë lë gjë pa analizuar”. Megjithatë, vërtet do të jetë dështim i tyre nëse ata nuk merren fare me këtë punë, siç u deklarua para një kohe me kapadaillëk kryetari i PDSH-së, dhe pastaj lejojnë që turrli “goce e Qeverisë” t’ua shpjegojë gjuhëtarëve se “maqedonas” dhe “i/e Maqedonisë” është njësoj, ndërsa shtetit t’i mundësojnë që edhe më tej të na quajë “makedonski allbanci”. E, kur t’i kthehem shkakut të krijimit të këtij teksti, i kam edhe dy porosi: njërën për ministrin Fatmir Besimi – po ia fali publikisht 2.100 den. për përkthimin “me gabime” që e kam bërë për zyrën e tij, ndërsa porosinë e dytë e kam për kryeshefin Koteski – nëse ajo vajza e ka mbajtur qëndrimin e saj “shkencor” se “heronj maqedonas” dhe “heronj të Maqedonisë” janë njësoj, dua t’i uroj atij që në fjalimin e tij do t’i përfshijë edhe shqiptarët, madje edhe ushtarët e UÇK-së. Urime, pra, z. Koteski!

Autori është bashkëpunëtor shkencor në sektorin e gjuhës shqipe në ITSHKSH në Shkup. Shkrimi është botuar së pari në të përditshmen e Shkupit “Koha”

...